Tufë poezish nga mësuese Anila Kadija

Në numrin e parë të KKAD-së po ju sjellim një tufë poezish nga mësuesja Anila Kadija, marrë nga libri “Ninulla e Zemrës”, kushtuar fëmijëve që mësojnë gjuhën shqipe.
Kur fëmijët mësojnë vjersha në gjuhë të ndryshme dhe i recitojnë ato, kjo është një gjë aq e bukur dhe e këndshme, edhe pse e zakonshme. Por kur këto vjersha janë shkruar qëllimisht nga mësuesja e gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës, për ta mësuar gjuhën shqipe sa më lehtë dhe duke u zbavitur, kjo është tejet e veçantë.
Metoda e punës sime në përgatitjen e programeve për fëmijët e moshave 0-12 vjeç për subjekte nga më të ndryshmet si bibliotekare në Bibliotekën Publike të Worcester-it, në Masaçusets, ngrihet pikërisht mbi elementin e zbavitjes. Sa më shumë vjersha, këngë, lojëra dhe lëvizje, aq më e lehtë është për fëmijën ta mësojë fjalën. Madje, kjo fillon që me programet e fëmijëve (0-17-muajsh), të cilat kanë vetëm këngë, vjersha të shkurtra, që ripërsëriten, për t’ua mësuar atyre tingullin dhe fjalën. Kjo mënyrë vazhdon edhe me moshat e tjera, derisa fëmijët hyjnë në parashkollor. Këto praktika dhe përvoja i kam shkëmbyer për vite me radhë me Anilën, e cila, me pasionin e saj të rrallë për mësimdhënien, kërkonte vazhdimisht mënyra sa më efikase dhe origjinale, për ta bërë mësimin e gjuhës shqipe një orë sa më të këndshme e të lehtë për fëmijët shqiptarë të diasporës. Këto biseda mes nesh vazhduan, derisa disa muaj më parë mora mesazhin elektronik nga Anila: “Rez, lexoji pak vjershat që kam krijuar për mësimin e shqipes. Anila”!
Vetëm një përkushtim aq pasionant, të cilin Anila e ka pjesë të natyrës së saj, vetëm falë dashurisë për profesionin e saj, si mësuese, gazetare, tregimtare, mund të krijonte atë që mungonte aq shumë në duart e lexuesit të vogël të diasporës.
I lexova me aq ëndje, madje shpesh buzëqeshja me vete. Vargje të lehta, të mbushura plot aroma lulesh, puhiza pranvere apo vallëzime fluturash dëbore. Nuk mungonin as bisedat mes brezave për të mësuar për Shqipërinë, identitetin kombëtar, të shprehura thjesht e plot emocion. Poezitë kumbojnë zëra vogëlushësh që luajnë, që i gëzohen natyrës, lodrave, shokëve e shoqeve dhe që të gjithë flasin shqip!
Nga Rezarta Reso

Nga Anila Kadija

ATDHEU

Atdhe,
ti vend, ku tokës më janë ngulur rrënjët!

Atdhe,
sokak me pleq të moçëm, që ende çibukun nga çiftelia nuk e ndajnë!

Atdhe,
ku malet, liqenet, luginat kurorën iu thurin bjeshkëve!

Atdhe,
je agimi që fton të vallëzojnë në iso fustanellat e valëve!

Atdhe,
i mijëra ngjyrave ku qielli shtrihet sa hapësira e krahëve!
Atdhe,
atje ku ulen në fluturime avionët e ngrihen përsëri me mall!

Atdhe,
të kërkoj me sytë e mi të të gjej edhe këtu ku jam, dhe kur të shoh kjo zemra ime e vogël bëhet MAL!

Atdhe,
sa bukur me fjalët e ëmbla si mjaltë në shqip, Të gjithë duam ta krijojmë një poezi për ty,

Atdhe,
gurët e tu ngritën kështjella dhe monumente dhe guri i rëndë është më mirë në tokën e vet!

Atdhe,
unë sot të falem në flamur,
në dejet e mia gjakun të kam borxh.

Atdhe,
nuk mund ta lë shqiponjën tënde pa vargun tim,
është nanë e babë, është më i madhi bekim

TRIMËRESHAT E KOSOVËS

Një klithmë nga shpirti të doli,
diku në errësirë pritë të bën,
ujqër me fytyra njerëzish,
nuk ngopeshin me gjakun tënd.

Të rrahën dhe të munduan
kujtuan se po të poshtëronin,
me baltën e tyre dot s’të ndotën,
lotët gëlltite pa u trembur.
Kur burgjeve të kalbën,
dritën e diellit ta mohuan,
ti fllad i bukur, grua shqipe,
me krenari lirinë përqafove.

Për ty, që jeta ishte e shkurtër,
nuk do të shuhet kujtimi,
vajzë e bekuar me ujë bjeshke,
një yll i Kosovës martire!

NË SHKOLLË

Ndrojtur erdha në ditën e parë,
nuk doja mamit dorën t’ia lëshoja,
nga abetarja dhe mësuesja ime,
m’u nxit dëshira për të mësuar.

Javë pas jave i njoha shkronjat,
fjalët dhe fjalitë i bëra të miat,
me të shkruar dhe me të lexuar,
gjuhën mësoj në shkollën shqipe.

GJUHA IME

E bekuar ujëvarë shkronjash,
gjuhë ilirësh dhe arbëreshe,
tingull që vjen nga larg,
ninullë nën dritën e hënës.

Mundohem ta shqiptoj mirë,
e thjeshtë nuk është për mua,
ajo më shoqëron ëmbël,
e bukura gjuha shqipe!