Nga Rosenheimi, një mesazh i fortë për ruajtjen e gjuhës shqipe

Intervistoi për KKAD Enela Markja

Intervistë me Shoqatën Shqiponja në Rosenheim: Blerta Guci Morina – Nënkryetare e parë, Andriana Mani – Nënkryetare, Valbona Roqi – Mësuese e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare mbi promovimin e librit “Historiku i shkollës shqipe në Bavari” të autorit Mustafë Krasniqi.

Blerta Guci Morina
Andriana Mani
Valbona Roqi

Më 9 maj, në qytetin e Rosenheimit, u promovua libri i autorit Mustafë Krasniqi, “Historiku i shkollës shqipe në Bavari”. Aktiviteti u organizua nga Shoqata Shqiponjat dhe mësuesja e shkollës shqipe në Rosenheim Valbona Roqi.

   Si lindi ideja për organizimin e këtij aktiviteti dhe çfarë ju motivoi të promovoni këtë libër në Rosenheim?

Ideja për promovimin e këtij libri në Rosenheim lindi shumë natyrshëm, sepse ky është një qytet i lidhur ngushtë me rrugëtimin e autorit, si dhe me historinë e mësimit shqip në Bavari. Rosenheimi është ndër qytetet e para ku u hapën shkollat shqipe. Pikërisht këtu, Mustafë Krasniqi veproi si mësuesi i parë i gjuhës shqipe dhe nisi përpjekjet për organizimin e mësimit plotësues në gjuhën amtare.

Duke e njohur autorin nga afër dhe duke pasur një bashkëpunim të ngushtë me të ndër vite, si bashkëqytetarë këtu në emigracion, kemi pasur mundësinë të shohim nga afër përkushtimin e tij. Duke jetuar në të njëjtin qytet, duke organizuar aktivitete së bashku dhe duke kontribuar në mësimin e gjuhës shqipe në klasat tona në Rosenheim dhe Kolbermoor, kemi qenë dëshmitarë të punës së tij të palodhur.

Ashtu siç bëmë edhe me librat e tij të mëparshëm, vendosëm që promovimi të organizohej pikërisht në Rosenheim, aty ku ai jeton dhe vepron.

Prandaj, promovimi në Rosenheim nuk ishte vetëm një prezantim libri, por edhe një vlerësim për punën e palodhur të autorit në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.

 Kush ishin bashkëpunëtorët tuaj kryesorë në organizimin e këtij promovimi dhe si kontribuoi secili prej tyre në realizimin me sukses të aktivitetit?

Ky aktivitet u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shoqatës “Shqiponja”, shkollës shqipe në Rosenheim, prindërve, vullnetarëve të komunitetit dhe sponsorëve tanë, të cilët ndihmuan në realizimin e të gjithë organizimit.

Secili kontribuoi në mënyrën e vet, qoftë në organizimin logjistik, promovimin e aktivitetit, përgatitjen e programit artistik apo mikpritjen e mysafirëve. Edhe pse koha në dispozicion ishte shumë e shkurtër, arritëm ta realizonim të gjithë organizimin në një kohë rekord.

Së bashku arritëm të sjellim të ftuar nga vende të ndryshme të botës, përfshirë familjarët, kolegët dhe bashkëpunëtorët e z. Krasniqi.

Një punë e veçantë u bë edhe për realizimin e videomesazheve të mysafirëve që nuk mund të ishin fizikisht të pranishëm, nga Amerika dhe vende të ndryshme të Europës, si dhe për organizimin e lidhjeve video gjatë aktivitetit. E gjithë kjo kërkoi shumë angazhim dhe bashkëpunim.

Gjithashtu, gjatë gjithë procesit kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjen e autorit, pasi ishte shumë e rëndësishme për ne që çdo detaj të realizohej me miratimin dhe pëlqimin e tyre. Nuk dëshironim të linim asgjë rastësisë, por që gjithçka të bëhej me përkushtim, respekt dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.

Secili dha maksimumin e tij dhe pikërisht kjo frymë bashkëpunimi e bëri të mundur suksesin e këtij promovimi. Me këtë rast, shfrytëzojmë mundësinë të falënderojmë secilin që kontribuoi dhe ndihmoi në mënyrë të jashtëzakonshme për realizimin e kësaj dite të veçantë. Ky ishte vërtet një sukses i përbashkët i të gjithë atyre që punojnë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë.

  Autori Mustafë Krasniqi ka botuar disa libra gjatë veprimtarisë së tij. Pse vendosët që pikërisht libri “Historiku i shkollës shqipe në Bavari” të ishte në qendër të këtij promovimi?

Në fakt, vitin e kaluar promovuam edhe dy libra të tjerë të z. Mustafë Krasniqi. Megjithatë, mendoj se ky libër u vendos në qendër të vëmendjes për vlerat e veçanta që mbart përmbajtja e tij, si dhe për faktin se pasqyron një pjesë shumë të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së vetë autorit.

“Historiku i shkollës shqipe në Bavari” është më shumë se një libër; ai është një dëshmi e një rrugëtimi të gjatë, ku pasqyrohen dashuria, përkushtimi dhe sakrificat që autori ka bërë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe për hapjen e shkollave shqipe në Bavari.

  Aktiviteti pati një jehonë shumë pozitive në komunitetin shqiptar në Bavari dhe më gjerë. Cilët ishin mysafirët dhe të ftuarit që me praninë e tyre i dhanë vlerë dhe peshë këtij promovimi?

Ky aktivitet ishte një ndër organizimet që pati jehonën më të madhe, jo vetëm për vlerat që mbart ky libër, por edhe për praninë e figurave të rëndësishme të institucioneve dhe komunitetit shqiptar në diasporë.

Në këtë promovim morën pjesë Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Mynih, znj. Genta Mburimi, së bashku me konsullen znj. Miranda Kokona, ish-konsulli i Shqipërisë z. Dashnor Ibra, konsulli i Kosovës në Slloveni, z. Hamdi Reçica, drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, prof. dr. Vaxhid Sejdiu, prof. Isuf Ismajli, prof. Isuf Bytyqi, si dhe përfaqësues të KKAD-së.

Të gjithë së bashku arritëm të bëjmë diçka të vogël në këmbim të asaj që Mustafë Krasniqi ka bërë për vite të tëra për komunitetin shqiptar në Bavari.

Prandaj, kjo na bën ne si shoqatë të ndihemi krenarë që e bëmë të mundur këtë promovim.

  Gjatë zhvillimit të aktivitetit, cili ishte momenti apo surpriza që ju la më shumë mbresa dhe që do ta veçonit si kujtimin më të bukur të kësaj dite?

Në fakt, e gjithë ecuria e promovimit ishte një surprizë për autorin, sepse ai nuk e kishte pritur pjesëmarrjen e kaq shumë njerëzve që kishin qenë bashkëpunëtorë, miq, kolegë, familjarë dhe ish-nxënës të tij ndër vite.

Megjithatë, surpriza më e bukur ishte momenti kur i bëmë të ditur se Shoqata “Shqiponja” kishte vendosur që shkolla shqipe në Rosenheim të mbajë emrin e tij. Ky ishte emocioni më i bukur jo vetëm për autorin, por për të gjithë ne që ishim të pranishëm.

  Çfarë mesazhi përcolli ky aktivitet për rolin e Shoqatës “Shqiponja” në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë?

Ky promovim përcolli një mesazh shumë domethënës dhe me një kuptim të fortë: Shoqata “Shqiponja” luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.

Me aktivitete të tilla, shoqata nderon punën dhe kontributin e veprimtarëve të komunitetit shqiptar në Rosenheim dhe më gjerë, ndërsa njëkohësisht u jep frymëzim brezave të rinj, duke u treguar se ruajtja e identitetit kombëtar është një mision i rëndësishëm për mërgatën shqiptare.

 Sa i rëndësishëm është dokumentimi i historikut të shkollës shqipe në diasporë për brezat e rinj dhe për komunitetin shqiptar në Gjermani?

Dokumentimi i historisë së shkollës shqipe është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ruan kujtesën kolektive të komunitetit tonë.

Për brezat e rinj që rriten në Gjermani, njohja e këtij rrugëtimi është një dëshmi e fortë që i lidh me rrënjët e tyre dhe me vendin e gjyshërve e stërgjyshërve. Kur ata mësojnë për punën, sakrificat, përkushtimin dhe dashurinë me të cilën u hapën dhe u mbajtën gjallë shkollat shqipe, kuptojnë se gjuha amtare është shumë më tepër se një mjet komunikimi.

Ajo është pjesë e identitetit të tyre, një trashëgimi që duhet ruajtur dhe përcjellë te brezat që vijnë. Historia e shkollës shqipe në diasporë është një shembull i qartë i kësaj përgjegjësie dhe përkushtimi.

  Pas suksesit të këtij promovimi, a planifikoni organizimin e aktiviteteve të tjera kulturore dhe arsimore në të ardhmen?

Po, ky promovim na ka motivuar edhe më shumë për të vazhduar me aktivitete të tjera kulturore, arsimore dhe kombëtare. Shoqata “Shqiponja” do të vazhdojë të organizojë promovime librash, aktivitete për fëmijë dhe të rinj, manifestime kulturore dhe projekte që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.

Aktualisht jemi në bisedime për realizimin e promovimit të një libri nga një autor shumë i njohur, por për momentin nuk do ta zbulojmë emrin e tij.

Më pas, në muajin tetor, i cili njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, do të organizojmë një aktivitet sensibilizues për gratë, me pjesëmarrjen e një paneli onkologësh që do të flasin për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm.

Gjithashtu, në fund të tetorit, së bashku me nxënësit e shkollës shqipe në Rosenheim dhe Kolbermoor, do të marrim pjesë me një shfaqje teatrale në Festivalin e Teatrit në Zagreb, i cili zgjat tri ditë.

Ne besojmë se investimi në arsim dhe kulturë, veçanërisht tek fëmijët, është investimi më i mirë për të ardhmen e komunitetit tonë.