TAKIMI I KKAD-së PËR FUNDVITIN SHKOLLOR 2025-2026

E përgatiti: Isuf Bytyçi dhe Anita Duriçi

Qershor 2026 u mbajt takimi virtual me përfaqësuesit e KKAD-së.

Takimin e hapi nënkryetarja znj. Miradije Berisha, e cila përshëndeti anëtarët e Grupit të Punës dhe paraqiti pikat e rendit të ditës: raportimin e secilit anëtar për përfundimin e vitit shkollor në shtetin ku jeton, përcaktimin e objektivave për të ardhmen, përgatitjet për seminarin që do të mbahet në Prishtinë, rritjen e pranisë së gazetës me shkrime, intervista dhe raportime nga seminari, si dhe çështje të ndryshme që lidhen me mësimin plotësues dhe informimin e mësimdhënësve të diasporës.

Në takim morën pjesë z. Mustafë Krasniqi, kryetar i KKAD-së, znj. Aurela Konduri, z. Dritan Mashi, znj. Miradije Berisha, znj. Anita Duriçi, znj. Teuta Tabaku, znj. Mira Shehu, znj. Anila Kadija, znj. Arta Emiri dhe Z. Isuf Bytyçi.

Gjatë diskutimeve u trajtuan objektivat e Grupit të Punës për vitin e ardhshëm, planet e përbashkëta dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet mësimdhënësve të diasporës. Një vëmendje e veçantë iu kushtua furnizimit të nxënësve me libra në gjuhën shqipe nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe rolit të ambasadave shqiptare në këtë proces.

Megjithatë, nuk munguan vërejtjet për pengesat e shumta që hasen në organizimin e mësimit plotësues. U diskutua për rënien e numrit të nxënësve në shumë vende të diasporës dhe për nevojën e evidentimit të saktë të numrit real të tyre. Pati gjithashtu kritika ndaj institucioneve shtetërore, veçanërisht ministrive, për mungesën e një mbështetjeje më të fuqishme dhe të koordinuar.

Një tjetër çështje që u ngrit ishte cilësia e mësimit plotësues. U theksua se në disa vende angazhohen mësimdhënës pa përgatitjen e nevojshme profesionale ose pa formim adekuat në gjuhën shqipe, gjë që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e mësimit, duke nënvizuar nevojën për investime serioze në këtë sektor.

Sipas pjesëmarrësve, mungesa e kontrollit institucional mbi përgatitjen profesionale të mësimdhënësve dhe mbi numrin real të nxënësve mbetet një problem shqetësues. U përmend se në disa vende me qindra mijëra shqiptarë, numri i nxënësve që ndjekin mësimin plotësues mbetet shumë i ulët.

Përfundimisht, pjesëmarrësit vlerësuan se pa një angazhim më serioz të shtetit shqiptar dhe të institucioneve të Kosovës për institucionalizimin e mësimit plotësues në diasporë, vështirë se mund të arrihen rezultatet e dëshiruara. U kërkua gjithashtu që autoritetet shqiptare të bashkëpunojnë me shtetet pritëse, në mënyrë që lënda e gjuhës shqipe të njihet dhe të shënohet në dëftesat shkollore, ashtu siç ndodh tashmë në disa shtete.

Me shpresën se kjo çështje do të marrë zgjidhjen e merituar institucionale, mësimdhënësit e diasporës do të vazhdojnë angazhimin e tyre për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *