
Gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra të Ballkanit dhe bën pjesë në grupin e gjuhëve
indoevropiane, ku klasifikohet e vetme, pa qenë në një grupim gjuhësh simotra. Ajo ndahet në dy
dialekte: gegërishte dhe toskërishte (përkatësisht në veri dhe në jug të Shqipërisë), dhe një variant
gjuhësor: arbërishten. Alfabeti i saj shkruhet me shkronja latine dhe ka 36 fonema (7 zanore dhe 29
bashkëtingëllore).
Për arsye historike (pushtimet e gjata të huaja), gjuha shqipe me shkrim ka nisur të lëvrohet relativisht vonë. Sipas dokumenteve të gjetura, shkrimi i gjuhës shqipe daton në shek. XV me “Formulën e pagëzimit”, e cila është një frazë e vogël në shqip në mes të një shkrimi latinisht, shkruar nga kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli në vitin 1462 dhe vijon me dëshmi të tjera, si: “Fjalorthi” i Arnold von Harff-it (1496), me shprehje, fjalë dhe numërorë shqip, të përkthyera gjermanisht përbri; Fraza e mallkimit “Draburi te clofto goglie”, në komedinë latinisht “Epirota” (1483), të Tomasso Mezzo-s; “Perikopeja e Ungjillit”, dy pjesë të shkurtra shqipe, brenda një shkrimi greqisht të shek. XVI (mendohet të jetë e shek. XV).
Edhe pse gjuhëtarët, bazë studimeve të ndryshme të albanologëve, pohojnë një traditë më të hershme dhe të zhvilluar të gjuhës shqipe vepra më e vjetër e zbuluar gjer më tani në gjuhën shqipe është “Meshari” i Gjon Buzukut, botuar më 1555. Argumente të ndryshme të karakterit gjuhësor dhe jashtëgjuhësor, që burojnë prej gjuhës së përdorur në vepra të mëvonshme të shekujve në vijim dhe
dëshmive të ndryshme, dhe përdorimi i një alfabeti të stabilizuar nga autorët veriorë, si Budi, Bardhi,
Bogdani, Kazazi etj., dëshmojnë për një lëvrim të hershëm të gjuhës shqipe në nivel drejtshkrimor.
Në shek. XIX, më 1879, u krijua alfabeti i parë i përbashkët shqip me 36 shkronja, , i njohur si “alfabeti i Stambollit”. Në vijim, në Kongresin e Manastirit (14-22 nëntor, 1908) u krijua alfabeti që kemi në përdorim sot. Më 1972, në Kongresin i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe me delegatë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, përfaqësues të popullsisë shqiptare në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe të Malit të zi, si dhe arbëreshëve të Italisë. Në këtë kongres u vendos përfundimisht për një shqipe letrare të vetme, me norma të njësuara drejtshkrimore, gramatike, fonetike e leksikore.
Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Shqipëri dhe Kosovë, bashkëzyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe një ndër gjuhët zyrtare të Malit të Zi. Është gjuhë e mbrojtur në Itali, Kroaci, Rumani, Serbi. Në ditët e sotme ajo numëron mbi 10 milionë folës në trojet shqiptare dhe në diasporë.
(Marrë nga fq. QBD)