Në Tiranë u takuam dhe kuvenduam me kolegë

Shkruan: Vaxhid Sejdiu

Në Samitin e Katërt të Diasporës, i cili zhvilloi punimet nga data 13–15 prill 2026, patëm rastin të takojmë dhjetëra miq dhe kolegë, me të cilët ishim takuar edhe më parë, por edhe të njohim miq të rinj, duke hapur rrugë të reja bashkëpunimi në shërbim të kulturës kombëtare.

Natyrisht, nga një takim i tillë treditor njeriu ka shumë për të thënë, por disa gjëra mbeten si obligim për t’u shënuar dhe për t’u ruajtur në kujtesën tonë, sepse takime të tilla ndodhin rrallë dhe janë shumë të vlefshme, frymëzuese për ditë dhe punë të reja. Ajo që do të veçoja janë kolegët dhe mësuesit që punojnë në vende të ndryshme të botës: në Itali, Greqi, Gjermani, Austri, Zvicër, Angli, Turqi, SHBA e më gjerë. Dhjetëra mësues nga Greqia dhe Italia të cilët me punën e tyre janë shembull i angazhimit kombëtar. Nga këto takime kam bërë disa shënime, në bazë të fotografive që arrita të mbledh aty-këtu.

Takimi me kolegët e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës është jo vetëm frymëzim, por edhe burim i rëndësishëm për ide të reja dhe angazhime të reja në fushën e mësimdhënies, si dhe në organizimin sa më të mirë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Kemi punuar më shumë se pesë vite me prezencë dhe më shumë online, nga vende të ndryshme të botës, duke dhënë më të mirën e mundshme për unifikimin e shkollave shqipe në mërgatën shqiptare. Dhe sot jemi krenarë për punën dhe angazhimin tonë në shërbim të gjuhës shqipe.

Kemi punuar dhe jemi angazhuar së bashku me institucionet tona: Qendrën e Botimeve për Diasporën, si dhe me Ministrinë e Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe atë të Kosovës, për të siguruar tekste të reja për fëmijët shqiptarë në mërgatë. Synimi ynë ka qenë që të kemi tekste shtesë dhe njëkohësisht edhe tekste shkollore në kohë dhe të përshtatshme.

Bashkëpunimi ndërinstitucional ka dhënë fryte dhe tashmë disa prej kërkesave të kohës janë realizuar dhe janë hequr nga rendi i ditës. Megjithatë, shtrohet pyetja për një organizim sa më të mirë të mësimit në gjuhën shqipe në diasporë: a ka nevojë? Pa dyshim që ka nevojë për shumë gjëra, si për unifikimin e shkollave shqipe dhe për hartimin e dokumenteve bazë pedagogjike, mbi të cilat do të bazohet mësimi në gjuhën shqipe në klasa.

Së bashku me mësuesit nga Zvicra, Anita Duriqin, Isuf Ismailin dhe Qefsere Sejdiun, takuam edhe mësueset Teuta Tabaku nga Turqia, Anila Kadija nga Londra dhe Drita Gjongecaj nga SHBA – tri mësuese të përkushtuara në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Teuta Tabaku është mësuese që prej më shumë se 30 vitesh jep kontributin e saj shumë të çmuar në përhapjen e gjuhës shqipe në shumë qytete të Turqisë, si në formë me prani fizike, ashtu edhe online. Ajo është një mësuese shembull, e cila në vazhdimësi ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në rrugëtimin e gjuhës shqipe te shqiptarët e Turqisë dhe jo vetëm.

Anila Kadija është mësuese që ka dhënë një kontribut të çmuar më parë në Itali dhe tashmë prej disa vitesh vepron në Londër, ku së bashku me kolegë të tjerë dhe veprimtarë të arsimit shqip është një shtyllë e fortë e përhapjes së gjuhës shqipe dhe e krijimit të klasave në gjuhën shqipe në Londër.

Drita Gjongecaj prej vitesh punon në Nju Jork të SHBA, duke dhënë një kontribut të vyer jo vetëm si drejtuese shkolle, por edhe si mësuese dhe organizatore e klasës në gjuhën shqipe, ku mësimi dygjuhësh ka filluar të japë frytet e para.

Dhe mësuesit nga Zvicra, siç është Qefsere Sejdiu, me më shumë se 28 vite përvojë, jep një kontribut të çmuar në mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe është dëshmi e fortë e organizimit të aktiviteteve shkollore me nxënësit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim.

Ndërsa Anita Duriqi, me punën e saj, ka kontribuuar jo vetëm në krijimin e klasave në kantonin Vaud në Zvicër, por edhe në pika të tjera shkollore, me qëllim që prindërit shqiptarë t’i kenë sa më afër pikat shkollore për fëmijët e tyre.

Dhe padyshim, një ndër veprimtarët dhe mësuesit e dalluar të shkollave shqipe LAPSHh “Naim Frashëri” në Zvicër është edhe mësuesi Isuf Ismaili, i cili me punën dhe përkushtimin e tij ndaj nxënësve, në aktivitetet e lira dhe në prezantimin e punës dhe sukseseve të kolegëve, të klasave dhe të nxënësve, është një shembull i vërtetë përkushtimi.

Samiti na bëri bashkë dhe, padyshim, gjatë bisedave jo vetëm që u njohëm njëri-tjetrin me punën e përkushtuar të përditshme, por edhe u frymëzuam reciprokisht. Secili, në mënyrën e vet dhe në vendin ku jeton e vepron, është shembull i një historie suksesi, duke punuar në heshtje dhe me përkushtim, pa zhurmë dhe pa bujë.

Respekt kolegë të nderuar! – Ashtu siç thotë profesoresha e nderuar Dr. Adriana Bejko – Fishta, e cila me përkushtimin dhe angazhimin e saj përbashkues të mësuesve kudo ku janë “Së bashku mundemi”.