
KKAD-ë fton mërgatën shqiptarët, të bashkuar në ruajtjen e gjuhës amtare
Të nderuar bashkëveprimtarë,
Ne, anëtarët e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), do të vazhdojmë të përpiqemi që të jemi pranë jush, pranë kolegëve tanë, prindërve, përfaqësuesve të shoqatave dhe bizneseve, të cilët me angazhimin e tyre janë një mbështetje e fortë për organizimin e mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë. Të gjithë së bashku do të përpiqemi të hapim shtigje të reja me qëllim përhapjen e gjuhës shqipe kudo ku ka shqiptarë. Do t’i përmbahemi qëllimit tonë të përbashkët: të punojmë dhe të veprojmë natë e ditë në shërbim të gjuhës shqipe. Ky është misioni ynë.
Me këtë rast, dëshirojmë të përcjellim shqetësimet tona, si dhe shqetësimet e anëtarëve të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, të cilat në të vërtetë duhet të jenë shqetësime për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, në atdhe apo jashtë kufijve të tij. Fëmijët shqiptarë në mërgim po përballen heshturazi me harrimin e gjuhës amtare, gjuhës së vendit të origjinës. Fëmijët e brezit të dytë tanimë kanë filluar ta belbëzojnë gjuhën e bukur shqipe dhe po përballen vazhdimisht me asimilimin e përditshëm. Pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve, të cilët kanë për detyrë ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare, nuk ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Pjesëmarrja e fëmijëve shqiptarë në orët mësimore në gjuhën amtare është tepër simbolike, dhe për këtë përgjegjësia bie mbi të gjithë ne: mbi mësuesit, prindërit dhe institucionet tona.
Koha nuk na pyet se kush është fajtori kryesor apo kush ka më shumë apo më pak faj, sepse dëmi që po i shkaktohet gjuhës shqipe te komuniteti shqiptar në Diasporë është i përmasave biblike. Për këtë arsye, ne, duhet të jemi në ballë të kësaj kauze kombëtare. Edhe pse për këtë shqetësim një grup mësuesish, që punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës, është vënë në lëvizje prej kohësh, kjo nuk mjafton. Duhet patjetër të veprojmë të gjithë së bashku, sepse vetëm kështu mund t’ia dalim.
Për të qenë më të organizuar dhe njëzëri, KKAD-ja u themelua nga një grup mësuesish më 4 korrik 2020, në prani të disa mësuesve të shkollave shqipe në diasporë nga disa shtete. Nga ky takim mori emrin “Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporë” (KMShD). Ndërsa më 29 tetor 2020, në prani të Ministrit për Diasporën, z. Pandeli Majko, dhe të Drejtoreshës, znj. Mimoza Hysa, u propozua ndryshimi i emrit KMShD në “Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë” (KKAD), me arsyetimin se këshilli duhet të jetë koordinues në një platformë unifikuese për të gjithë diasporën shqiptare.
Duke vlerësuar punën katërvjeçare të anëtarëve të KKAD-së, në përkrahje të drejtoreshës Mimoza Hysa dhe të ish kryetarit të saj, Vaxhid Sejdiut, kemi arritur suksese të dukshme. Andaj, kryesia e re e porsazgjedhur me anëtarët dhe kryetarin e ri të saj do të vazhdojë të ecë drejt sukseseve, duke krijuar projekte të reja. Qëllimi i saj primar do të jetë unifikimi i shkollave shqipe dhe bashkimi i lidhjeve të shoqatave dhe mësuesve nëpër shtetet ku ato funksionojnë, me qëllim që të flasim me një zë. Gjithnjë në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shoqatat dhe bizneset që ndihmojnë shkollën shqipe, si dhe me institucionet e dy vendeve tona: të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës. Sepse misioni i KKAD-së është mbrojtja e gjuhës dhe e identitetit kombëtar, të mbështetur në baza të forta didaktike, linguistike dhe shkencore. E mbi të gjitha, duke pasur tekste shkollore të njëjta, të flasim të njëjtën gjuhë dhe të kemi të njëjtin identitet kombëtar: një atdhe!
KKAD-ja, duke parë si të vetmen shpresë institucionet e të dy vendeve tona, ka kërkuar të jetë pjesë e tyre. Kësaj kërkese iu është përgjigjur VKM-ja e Republikës së Shqipërisë, duke deklaruar: “Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës bëhet pjesë e konsultimeve dypalëshe, me dakordësim paraprak ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në funksion të marrëveshjeve për mësimdhënien në diasporë.”
KKAD-ja është gjithnjë në angazhim për bashkëpunim. Përmes platformës virtuale, ka pasur takime me zv/ministrat dhe me Ministren e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, znj. Evis Kushi, si dhe me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, znj. Arbërie Nagavci. Në këto takime janë bërë të njohura përgjegjësitë që ka marrë mbi vete KKAD-ja për mësimdhënie të unifikuar dhe të koordinuar si një faktor i rëndësishëm në mbrojtjen e gjuhës shqipe. Ne theksuam se vizioni ynë është të përfshihemi në hartimin e teksteve dhe zgjedhjeve didaktike për të siguruar kompetenca gjuhësore dhe kulturore të domosdoshme.
Qëllimi i KKAD-së
Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës (KKAD) synon, gjatë këtij legjislacioni katërvjeçar, të realizojë nismën për shkollën shqipe në mërgatë, me mbështetjen e prindërve, bashkatdhetarëve, bizneseve dhe institucioneve të dy vendeve tona. Ashtu siç thotë Sami Frashëri:
“Shenja e kombit është gjuha, kur një komb e humb gjuhën, ai humb edhe veten.”
KKAD fton të gjithë ata që duan të kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, të bashkohen me ne për të ndihmuar fëmijët që jetojnë në mërgatë, të cilët përballen me vështirësi në ruajtjen e gjuhës amtare.
Ftesë për Bashkëpunim
Të bashkuar, të realizojmë mësimdhënie të unifikuar që garanton mbrojtjen dhe funksionimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, kontributet tuaja.
Kjo faqe është e hapur për:
- Shkrime dhe analiza të dobishme për gjuhën dhe kulturën shqiptare,
- Kritika dhe këshilla për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në mërgatë.
Shkrimet që mbrojnë interesin kombëtar dhe mbështesin shkollat shqipe në diasporë do të publikohen në gazetën online të KKAD-së.
Kontakti
Për të kontribuar, dërgoni punimet në:
[email protected]