Nga Isuf Ismaili

Një bashkëpunim vëllazëror mes “Shkollës Shqipe” në Zvicër dhe klasave të gjuhës arbëreshe në Ungër (Lungro) të Kalabrisë solli takimin e parë mes nxënësve dhe mësuesve të këtyre shkollave. Një motivim i ndërsjellë: modeli i fëmijëve shqiptarë të shkollave shqipe në Zvicër për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, si dhe modeli arbëresh për ruajtjen e saj për më shumë se gjashtë shekuj.
Hapja e klasave të mësimit të arbërishtes në Ungër të Kalabrisë bëri që për herë të parë një grup nxënësish dhe mësuesish të gjuhës shqipe nga Zvicra, nën drejtimin e Prof. Dr. Vaxhid Sejdiut, të vizitojë gjashtë ngulime arbëreshe në Kalabri. Këto janë: Çifti (Civita), Ungra (Lungro), Firmosa (Acquaformosa), Ferma (Firmo), Shën Vasili (San Basile) dhe Frasnita (Frascineto). Me këtë rast, krahas vizitave në shkolla, sipas organizatorëve do të ketë edhe pritje zyrtare nga të gjashtë kryetarët e bashkive dhe autoritetet e këtyre ngulimeve arbëreshe.
Falë organizimit të shkëlqyer të mësuesve, drejtorit të shkollës në Ungër z. Maletta dhe znj. Ornela Radovicka, drejtuese e Qendrës Albanologjike mbi Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe – themeluar nga Antonio Bellusci, z. Tommaso Ferrari, i cili me gjithë përkushtimin e tij në organizimin në mes katundeve arbëreshe, angazhimit të publicistit dhe gazetarit të njohur Rexhep Rifatit dhe nga ana tjetër, “Shkollës Shqipe” në Zvicër nën drejtimin e mësuesit Vaxhid Sejdiu, u realizua ky takim i shumëpritur nga të dyja palët.
Gjatë vitit shkollor 2024/25 u hapën për herë të parë klasat e mësimit të arbërishtes, ku 23 nxënës ndoqën mësimin në mënyrë të rregullt, duke treguar dashuri dhe përkushtim ndaj gjuhës së të parëve të tyre. Nxënësit u ndoqën nga dy mësuese me origjinë arbëreshe, njohëse të mirë të gjuhës arbëreshe: Maria Tolisano dhe Nicoletta Buono. Dhe në këtë rrugëtim të veçantë drejt gjuhës së vjetër shqipe, iu bashkua edhe një grup nxënësish të shkëlqyer të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, nën drejtimin e mësuesit Vaxhid Sejdiu.
Nga data 29 maj deri më 1 qershor 2025, nxënësit qëndruan në katundet arbëreshe, ku u takuan me bashkëmoshatarët e tyre, vizituan shkolla, klasa ku mësohet dhe veprohet ende në arbërisht, si dhe vendbanimet arbëreshe, duke u njohur nga afër me përpjekjet dhe sakrificat e arbëreshëve ndër shekuj. Ishte një emocion, një përpjekje dhe një interesim i veçantë nga të dyja palët, sepse si fëmijët arbëreshë ashtu edhe nxënësit e “Shkollës Shqipe” kishin çka t’i ofronin njëri-tjetrit: historinë dhe trashëgiminë e arbëreshëve për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar ndër shekuj, si dhe përpjekjet e fëmijëve shqiptarë sot, për ta mësuar dhe ruajtur gjuhën shqipe në Zvicër.
Në ditët në vijim, redaksia e “Shkollës Shqipe” – Zvicër do të sjellë për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe lexuesit e portalit tonë pamje dhe emocione të veçanta nga ky rrugëtim në botën arbëreshe, e cila për shumëçka është unike në tërësi.

“Shkolla Shqipe” në Zvicër, duke përgëzuar punën e madhe të Prof. Vaxhid Sejdiut me nxënësit e tij, falënderon të gjithë aktorët e këtij aktiviteti shkollor dhe jo vetëm, duke dhënë shembullin më të mirë se si duhet të punohet në shërbim të gjuhës amtare. Gjithashtu, përgëzon për punën e palodhur mësueset Maria Tolisano dhe Nicoletta Buono, si dhe mësuesit shoqërues të këtij aktiviteti: Qefsere Sejdiu dhe Minire Azemi. Një falënderim i veçantë për organizatorët, të cilët me mikpritjen e tyre ndaj nxënësve, mësuesve dhe prindërve të “Shkollës Shqipe” dëshmuan mikpritjen bujare shqiptare. Veçmas dallojmë drejtorin e shkollës në Ungër z. Maletta, veprimtarët e palodhur në shërbim të gjuhës arbëreshe Znj- Ornela Radovicka, Z. Tommaso Ferrari dhe Z. Tomaaso Belushi, mësuesit e këtyre shkollave dhe kryetarët e bashkive, si dhe të gjithë aktorët, të cilët këtë takim e begatuan dhe e ndihmuan që të jetë si i tillë. Për ta, në ditët në vazhdim, do të mundohemi t’i përfshijmë në falënderimet dhe paraqitjen tonë për këtë ngjarje të veçantë me karakter shkollor dhe kulturor.
Sektori për informim