Nga Anila Kadija

Për herë të parë, në historinë e mësimdhënies së gjuhës shqipe, në Mbretërinë e Bashkuar, më 17 mars 2024 u krijua Lidhja e Mësuesve Shqiptarë!
Një datë e shënuar kjo në Londër, ku me iniciativën e disa shoqatave: “Ardhmëria”, “Gjurmët Ilirjane”, shoqata “Drenica”, “Shoqata Akademike Shqiptare”, “Nënë Tereza”, “Arbëria”, “Bright Eagles” si edhe me pjesëmarrjen e mësuesve shqiptarë që punojnë dhe bashkëpunojnë për përhapjen e gjuhës shqipe, mbrojtjen e kulturës shqiptare, u hodh hapi më i rëndësishëm i një lidhje profesionistësh e nivelit të lartë.
Organizimi u bë në zyrat e shoqatës “Ardhmëria” nën kujdesin e veçantë të kryetarit të kësaj shoqate z.Lutfi Vata dhe stafit të saj.
Procedura e diskutimit të statutit dhe zgjedhjet u zhvilluan në frymë meritokratike dhe me votimin e mbi 40 bashkëthemelueseve të kësaj lidhjeje.
E pranishme për të vëzhguar punën dhe zgjedhjet ishte zëvendës ambasadorja e atëhershme, znj. Almona Bajramaj, e cila përshëndeti lidhjen dhe përcolli mirënjohjen e shtetit shqiptar si përfaqësuese e lartë e tij në Mbretërinë e Bashkuar.
Pas diskutimeve, propozimeve, ideve u miratua dhe u votua statuti i Lidhjes së Mësuesve dhe u propozuan tre kandidatë për kryetar:
Znj. Ardjana Gjoni
Z.Lutfi Vata
Znj. Alda Çapia
Votimi nga 28 të pranishëm në sallën e mbledhjes, 14 online, gjithsej 42 themelues përcolli këto rezultate:
- Kryetar z.Lutfi Vata
- Nënkryetar znj. Ardjana Gjoni, sot ka dhënë dorëheqjen si nënkryetare, por vazhdon si anëtare.
- Nënkryetar z. Abedin Bajraktari
- Zëdhënëse znj. Anila Kadija
- Sekretare znj. Adelina Hysenaj
- Financiere Ornela Gjeta
Në përfundim të zgjedhjeve zv/Ambasadorja uroi z. Lutfi Vata dhe përgëzoi të gjithë asamblenë, kryesinë e porsa zgjedhur, për këtë iniciativë në krijimin e një institucioni shumë të rëndësishëm për mësuesit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Pas përfundimit të procesit z. Lutfi Vata shprehu entuziazmin dhe falënderoi të gjithë për besimin që iu dha duke theksuar që kjo Lidhje do të jetë një portë e hapur për të gjithë mësuesit e gjuhës shqipe jo vetëm në Londër por edhe në çdo vend të MB ku janë apo do të hapen shkolla shqipe në vazhdim.
Znj. Almona Bajramaj, e cila siguroi mbështetjen e të gjitha autoriteteve shqiptare dhe Ministrisë së Jashtme theksoi mbi të gjitha mbështetjen ndaj mësuesve dhe nxënësve shqiptarë për t’i plotësuar nevojat me tekste shkollore në shërbim të mësimin e gjuhës shqipe, përhapjes së kulturës dhe ruajtjes të identitetit kombëtar.
“Bashkëpunimi me Ambasadën Shqiptare në Londër do të vijojë si përherë dhe mbështetja e tyre do të jetë e pa kursyer për Lidhjen e Mësuesve” – tha znj. Bajramaj.
Puna nisi, vullnetarisht për një qëllim, të gjithë së bashku!
Pas dy vjetësh LMSHMB është zgjeruar dhe po punohet intensivisht dhe bashkarisht, e hapur për çdo shoqatë, organizatë apo mësues që dëshiron të ndërtojë ura lidhëse bashkëpunimi.