Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare!

Nga Amerika në Australi, Kanada, Itali, Angli, Suedi, Gjermani, Zvicër, Norvegji, Kroaci, Austri, Spanjë, Belgjikë, Francë, Greqia e Turqi, me mijëra fëmijë dhe të rinj shqiptarë mësojnë gjuhën dhe kulturën e vendit amë në shkollat e gjuhës shqipe në diasporë, falë mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me mbi 14 mijë libra falas “Gjuha shqipe dhe Kultura shqiptare” Niveli I dhe II dhe përkushtimit të mësuesve dhe prindërve shqiptarë.

21 shkurti, është shpallur nga UNESCO si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare dhe qëllimi kryesor i saj është vlerësimi i gjuhës për ruajtjen e trashëgimisë e kulturës së çdo populli. Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit të një populli me anë të së cilës shprehet shpirti dhe kultura e tij.