Prof. Dr. Linda Mëniku, një emër i njohur në fushën e gjuhësisë shqipe

Për gazetën kkad.al
Intervistën e zhvilloi Vaxhid Sejdiu

Prof. Dr. Linda Mëniku është një emër i njohur në fushën e gjuhësisë shqipe. Me një karrierë të shquar akademike, ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e gjuhës shqipe brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Aktualisht, ajo është pedagoge në Universitetin e Tiranës, ku përqendrohet në studimin dhe mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe linguistikës.  Znj. Mëniku është e angazhuar dhe me mësimdhënien e gjuhës shqipe në Universitetin Shtetëror të Arizonës, SHBA (Arizona State University

Ajo ka përfunduar studimet e saj universitare dhe pasuniversitare në fushën e gjuhësisë, duke marrë titullin “Doktor i Shkencave” në gjuhësi. Përkushtimi i saj ndaj studimeve të thelluara mbi strukturën, historinë dhe përdorimin e gjuhës shqipe e ka bërë atë një figurë kyçe në mësimdhënie dhe kërkim shkencor. Prof. Mëniku është autore dhe bashkautore e disa librave dhe artikujve shkencorë që trajtojnë tema të rëndësishme në gjuhësinë shqiptare.

 Në vitet e fundit, Prof. Dr. Linda Mëniku ka qenë e angazhuar në projekte të rëndësishme që lidhen me ruajtjen dhe mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë. Angazhimi i saj në këtë fushë është shkas për të zhvilluar një intervistë për gazetën online kkad.al, të mësuesve të Diasporës, të cilët mësues kanë një vlerësim të lartë për të.

Vaxhid Sejdiu: E nderuara Znj. Mëniku, kam nderin që të zhvillojmë me Ju, një intervistë për gazetën online kkad.al, rreth punës dhe angazhimin tuaj si pedagoge në fushën e gjuhësisë në kuadër të Universitetit të Tiranës, të përpjekjeve tuaja rreth ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe si dhe kontributin tuaj të çmuar rreth trajnimit të mësuesve në diasporë.

Ju keni dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës. Si ka evoluar roli i gjuhës shqipe në institucionet akademike gjatë viteve të fundit?

Departamenti i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Tiranës ka qenë që në fillimet e tij një nga departamentet më të rëndësishme dhe më elitare të këtij universiteti. Profesorët e Departamentit të Gjuhës Shqipe kanë dhënë një kontribut të çmuar në studimet sinkronike dhe diakronike të gjuhës shqipe, duke zënë një vend krejtësisht të veçantë në fushën e albanologjisë.

Sigurisht që gjuha shqipe është tipari themelor i identitetit tonë kombëtar dhe është gjuha zyrtare e Republikës së Shqipërisë, kështu që roli i Departamentit të Gjuhës Shqipe, në Universitetin e Tiranës në formimin e brezave të mësuesve, redaktorëve, studiuesve etj. mbetet shumë i rëndësishëm, sidomos në kushtet e sfidave të rejave që vijnë nga zhvillimet e brendshme dhe globale.

Një nga përparësitë e institucioneve akademike në Shqipëri, Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare duhet të jenë studimet në fushën e historisë së gjuhës.

Vaxhid Sejdiu: Cili ka qenë ndikimi i përvojës suaj me trajnimet e mësuesve të diasporës në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe jashtë kufijve të Shqipërisë?

Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe Qendra e Botimeve për Diasporën kanë një kontribut të madh dhe shumëplanësh, pasi kanë arritur të krijojnë rrjetin e mësuesve të diasporës  dhe të organizojnë trajnime për të gjithë mësuesit që japin gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në shkollat shqipe në diasporë.

Pjesëmarrja në këto trajnime është realisht frymëzuese. Është emocionuese të shohësh se si shqiptarët e emigruar nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës etj. kanë arritur jo vetëm të përshtaten dhe të zhvillohen profesionalisht në realitetin e ri të shteteve ku kanë emigruar, por dhe të ruajnë me dashuri gjuhën dhe kulturën shqiptare dhe ta përcjellin në breza.

Trajnimet me mësuesit e diasporës janë shpeshherë një mundësi e mirë shkëmbimi përvojash të metodave dhe sfidave të mësimdhënies, pasi mësuesit shqiptarë në diasporë janë shpesh të mirarsimuar, madje dhe të diplomuar në universitetet e vendeve ku jetojnë.

Këto trajnime shërbejnë për të njohur nga afër situatën e mësimdhënies së shqipes në diasporë dhe për të reflektuar për mënyrën sesi mund të ndikojmë në përmirësimin e saj, në kushtet specifike të shteteve me politika të ndryshme për mësimdhënien e gjuhëve amtare/gjuhëve etnike/gjuhëve të trashëguara.

Dhe sigurisht ajo që duhet vlerësuar dhe admiruar është fakti që këto trajnime bëjnë bashkë mësues që prej shumë vitesh, në mënyrë vullnetare, zhvillojnë orët e mësimit për fëmijët e diasporës, me të njëjtin pasion që e kanë bërë në vendin amë apo si të jenë në një institucion arsimor.

Vaxhid Sejdiu: Përballë sfidave globale, çfarë rëndësie ka për ju promovimi dhe ruajtja e gjuhës shqipe si pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare?

Gjuhëtari ynë i madh Çabej thotë: “Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj.” Është gjuha ajo që na dallon nga kombet e tjera dhe që na kanë dhënë një vend të veçantë. Gjuha shqipe, e mbijetuar më shumë si gjuhë e folur, është sot gjuhë zyrtare e tri shteteve në Ballkan, një arritje shumë e madhe për kombin shqiptar. Politikat gjuhësore brenda këtyre shteteve janë të ndryshme, për vetë specifikat e tyre.

Shqipëria dhe Kosova i kanë dhënë vazhdimisht rëndësi çështjes së ruajtjes dhe promovimit të gjuhës shqipe, si thelbi i identitetit tonë kombëtar.

Por për shkak të valëve të njëpasnjëshme të emigracionit, në kushtet kur numri i shqiptarëve të diasporës është më i madh se numri i shqiptarëve në trevat shqiptare, është domosdoshmëri ruajtja e gjuhës shqipe dhe përcjellja e saj brez pas brezi te shqiptarët e diasporës. Në këtë mënyrë mund të ruhet dhe të forcohet lidhja e shqiptarëve kudo në botë me vendin amë.

Vaxhid Sejdiu: Si e shihni rolin e teknologjisë dhe platformave digjitale në mësimdhënien dhe promovimin e gjuhës shqipe?

Integrimi i teknologjisë dhe i platformave digjitale në promovimin e gjuhës shqipe ka të njëjtat përfitime si dhe për gjuhët e tjera, duke përfshirë këtu rritjen e cilësisë së mësimdhënies, dhënien e mundësisë së mësimit të gjuhës shqipe një numri të madh shqiptarësh dhe të huajsh kudo në botë, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe sigurisht lehtësimin e punës së mësuesve dhe mundësinë e mësimit autodidakt. Platformat digjitale rrisin kompetencën komunikuese për sa i përket saktësisë gramatikore, shqiptimit, fjalorit, drejtshkrimit etj. Nëpërmjet platformave digjitale, nxënësit mund të praktikojnë të folurit/të dëgjuarit, duke përmirësuar kështu aftësitë e tyre gjuhësore. Këto platforma i ndihmojnë nxënësit dhe të testojnë nivelin e tyre në gjuhën shqipe. Platformat, nëse përfshijnë dhe materiale kulturore dhe historike, u japin mundësi nxënësve që të njohin më mirë kulturën shqiptare. Prandaj,  një platformë e mirëmenduar për mësimin e gjuhës shqipe do të shërbente si një mekanizëm në informimin dhe ndërgjegjësimin me informacionet e duhura për kulturën dhe historinë shqiptare.

 Vaxhid Sejdiu:  A mendoni se diaspora shqiptare po luan një rol të mjaftueshëm në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare?

Diaspora shqiptare ka luajtur gjithnjë një rol të rëndësishëm dhe shpesh vendimtar për zhvillimet historike, politike e kulturore të Shqipërisë. Është i mirënjohur roli i arbëreshëve të Italisë në  krijimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve në shekullin e tetëmbëdhjetë, kur trojet shqiptare ishin nën pushtim dhe  nuk kishte shkolla shqipe.

Shqiptarët e diasporës ruajtën elementet themelore të identitetit të tyre: gjuhën, zakonet, traditat dhe rilindasit arritën të krijojnë dhe forcojnë identitetin kombëtar, përmes gjuhës shqipe, si një gjuhë e lashtë.

Diaspora shqiptare vazhdon të punojë fort për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare dhe sigurisht që çdo gjë fillon në radhë të parë nga familja. Është e rëndësishme të ruhet dhe zhvillohet gjuha e shtëpisë së fëmijës për zhvillimin e tyre kulturor, gjuhësor dhe shoqëror. Komunikimi i përditshëm në shqip është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin gjuhësor të një fëmije. Konteksti shoqëror është po aq i rëndësishëm për sa i përket ruajtjes së gjuhëve të trashëgimisë. Ekzistenca e një komuniteti gjuhësor është vendimtar për të ndihmuar emigrantët të ruajnë aftësitë e tyre gjuhësore. Dhe këtu duhet theksuar roli i jashtëzakonshëm që luajnë shoqatat dhe organizatat e ndryshme shqiptare kudo në botë, edhe në cepat më të largët.

Aftësia gjuhësore e nxënësve mund të përmirësohet nëse ata janë të ekspozuar ndaj programeve të gjuhës së trashëgimisë, si dhe aktiviteteve jashtëshkollore.

Tashmë janë të panumërta shkollat shqipe që janë hapur në Angli, Austri, Greqi, Gjermani, Francë, Itali, Kroaci, Suedi, SHBA, Zvicër, etj.

Dhe për këtu duhen falënderuar të gjithë themeluesit e këtyre shkollave dhe drejtuesit e rrjeteve të shkollave shqipe në këto vende, mësuesit e përkushtuar, prindërit që i japin përparësi mësimit të gjuhës amtare dhe të gjithë shqiptarëve që kontribuojnë financiarisht për to.

Sigurisht që nuk kemi si të mos u jemi mirënjohës dhe qeverive të shteteve të ndryshme që përmes politikave të tyre arsimore u kanë dhënë mundësinë dhe shqiptarëve të hapin shkollat shqipe apo të përfshijnë gjuhën shqipe dhe në sistemin arsimor.

Vaxhid Sejdiu:  Si mund të përfitojë brezi i ri nga puna dhe hulumtimet tuaja në fushën e gjuhësisë? A keni projekte ose ide për të përfshirë më shumë të rinjtë në këtë fushë?

Mendoj se tekstet mësimore që kam hartuar për mësimdhënien e gjuhës shqipe për të huajt dhe shqiptarët e diasporës kanë qenë një kontribut, i cili ka pasur një ndikim më të drejtpërdrejtë, pasi çdo botim i ri është një vlerë e shtuar dhe u vjen në ndihmë mësimdhënësve të gjuhës shqipe kudo që ndodhen, si në Shqipëri, Kosovë, në trevat shqipfolëse, në diasporë etj.

Po ashtu, mendoj se hulumtimet që kemi bërë me studentët  (detyra kursi apo punime diplome), për çështje të përdorimit të normativës së shqipes apo fjalëve të huaja, kanë qenë të rëndësishme për ndërgjegjësimin e tyre për problematikat me të cilat përballet gjuha shqipe sot.

Vaxhid Sejdiu:  A mund të ndani me ne disa nga momentet më të rëndësishme ose arritjet tuaja më të dashura gjatë karrierës suaj akademike?

Një nga arritjet më të rëndësishme dhe më të dashura të karrierës sime akademike është sigurisht marrëdhënia me studentët. Duke u nisur nga përvoja personale, nga ndikimi që kanë pasur në formimin tim, por dhe në përcaktimin e rrugëtimit tim profesional, mësuesit dhe profesorët e mi, mendoj se mësimdhënia është shumë e rëndësishme, nëse kthehet në edukim. Prandaj e kam pasur gjithnjë parësor ndërveprimin me studentët, duke e konceptuar si proces edukimi dhe formësimi.

Dhe një nga kënaqësitë më të mëdha profesionale është vlerësimi nga ish-studentët e mi se njohuritë e marra, por dhe komunikimi në orët e mësimit kanë qenë të vlefshme, u kanë lënë gjurmë dhe u kanë shërbyer gjatë rrugëtimit të tyre profesional si mësues të gjuhës shqipe, si gazetarë, si redaktorë, si nëpunës të shtetit shqiptar etj.

Po ashtu, e konsideroj si një mundësi krejtësisht të veçantë përvojën e gjatë të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Universitetin Shtetëror të Arizonës, për studentët dhe studiuesit amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë, përvojë, e cila, ndër të tjera, më ka krijuar mundësinë të bëj disa publikime të rëndësishme me shtëpitë botuese universitare në SHBA (Gheg Reader, Dunwoody Press; Discovering Albanian, Winsconsin University Press; Advancing in Albanian, Indiana University Press) dhe në Mbretërinë  e Bashkuar (Colloquial Albanian, Routledge). Gjithashtu, falë kësaj përvoje, kam pasur fatin të njoh nga afër situatën gjuhësore dhe kontributin e diasporës shqiptare në SHBA për ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës shqiptare.

Do të doja të përmendja mundësinë që kam pasur që të kryej kërkim shkencor në fushën e gjuhësisë, në Universitetin e Bremenit në Gjermani, përmes bursës DAAD, nën drejtimin e profesor Armin Hetzerit; studimet në programin Master në Gjuhësi në Universitetin e Kansasit, SHBA, përmes bursës Fulbright, si dhe mundësinë që të isha pjesë e projektit për ndryshimet në Evropën Juglindore, në Universitetin Evropian të Viadrinës në Gjermani.

Ka dhe shumë përvoja të tjera të rëndësishme në lidhje me mësimdhënien e shqipes dhe kontaktin me diasporën shqiptare, sikurse është mundësia e mësimdhënies së shqipes në Universitetin Humboldt, përmes projektit Erasmus.

Vaxhid Sejdiu:  Cilat janë planet ose projektet tuaja të ardhshme që lidhen me gjuhësinë dhe letërsinë shqipe?

Aktualisht jam në fazën përfundimtare të botimit të tretë të metodës “Colloquial Albanian”, me shtëpinë botuese Routledge, UK, si dhe po punoj për një studim në lidhje me situatën gjuhësore në median shqiptare.

Vaxhid Sejdiu: E nderuara profesoreshë, i vetëdijshëm se brenda një interviste nuk mund të shterojmë temën për gjuhën shqipe, unë ju falënderoj për kohën dhe shpresoj e besoj se do t`iu kemi në seminaret e mësuesve të Diasporës, në mesin e mësuesve, të cilët kanë nevojë për fjalët dhe këshillat tuaja.

Ju dëshirojmë shumë suksese në krijimtarinë shkencore për gjuhën shqipe dhe jo vetëm. 

Intervistën po e mbyllim me fjalët tuaja dhënë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, diku në shtator 2024 “Gjuha dhe kultura shqipe duhet të jenë përparësi kombëtare”.

Të punojmë, natë e ditë dhe të shpresojmë që në të ardhmen gjuha shqipe dhe kultura kombëtare të jenë kryefjalë e angazhimit tonë kombëtar, në Atdhe dhe në Diasporë.