Kryetar i “Lidhjes së Shkollave Shqipe” në Itali Dritan Mashi me nxënësin Lorik Sejdini.

Nga Dritan Mashi

Përshëndetje të gjithëve bashkë me Lorikun që është nxënës i shkollës “Gjergj Fishta” në Levico Terme!
Unë si mësues së bashku me bashkëshorten time, që kemi vite që japim mësim në këtë shkollë, po mundohemi të edukojmë këta fëmije për atdhedashurinë dhe për gjuhën tonë shqipe. Ashtu siç dëgjuat edhe Lorikun, është kënaqësia jonë më e madhe për ne si mësues të dëgjojmë teksa këta fëmijë flasin shqip, duan mëmëdheun, duan që komunikimi mes tyre me ne dhe me prindërit tanë të jetë sa më i mirë. Si anëtar i KKAD-së dhe njëkohësisht si kryetar i “Lidhjes së Shkollave Shqipe” në Itali u bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë kudo që ndodhen nëpër botë, të regjistrojnë fëmijët në shkollat shqipe apo kurset që ndodhen në shtete të ndryshme ku ata jetojnë. Pavarësisht vështirësive që na rrethojnë, duhet të edukohemi t’u japim më të mirën për atdhedashurinë dhe gjuhën shqipe. Të mundohemi sa më shumë t’u rrimë afër këtyre fëmijëve që kanë lindur dhe po rriten në shtetet ku ata jetojnë. Të mundohemi të japim më të mirën tonë në misionin që ne kemi marrë përsipër.

Lorik Sejdini, i lindur dhe i rritur në Itali, nxënës i shkollës “Gjergj Fishta” në Levico Terme, në rajonin e Trentinos. Ai thotë: “Në shtëpinë tonë flitet vetëm shqip. Babi im është nga Laçi dhe mami nga Lezha. Unë dhe vëllai shkojmë me dëshirë të madhe tek shkolla shqipe. Kur motra ime shkruajti një letër që quhej ”Kthim në votër”, mu shtua më shumë dëshira për shkollën shqipe. Ajo mësoi të shkruajë shqip tek shkolla jonë, falë mësues Dritanit dhe mësuese Irenës. Tani edhe unë di të shkruaj shqip. Shkruaj përditë me kushëririn tim Marion, nga Lezha.
Unë ju lutem të gjithë prindërve shqiptarë në diasporë: Flitni shqip me fëmijët tuaj siç bën mami dhe babi im dhe Dërgojini ata në kurset e gjuhës shqipe!

Faleminderit mami dhe babi im!
Faleminderit mësuesit e mi, se falë jush unë flas dhe di shqip!