Dita e fundit e vitit shkollor u kurorëzua me një vizitë të veçantë në Muzeun e Shkencës në Londër

Projekti “Mësojmë shqip në muze”, i cili zhvillohet çdo vit akademik, vazhdon të sjellë përvoja të reja mësimore, duke e bërë gjuhën shqipe pjesë të eksplorimit të shkencës, teknologjisë dhe kulturës.

Një nga temat më interesante ishte ekspozita “Kush jam unë?”

Çfarë të bën ty të jesh ti?

A është pamja jote, gjërat që të pëlqejnë apo nuk të pëlqejnë? Janë kujtimet e tua apo prejardhja jote?

Nëpërmjet teknologjive më të fundit shkencore, fëmijët eksploruan mënyrën se si shkencëtarët studiojnë trurin dhe gjenet tona, duke kuptuar më mirë se çfarë na bën njerëz dhe çfarë e bën secilin prej nesh unik.

Çfarë do të zbulosh për veten tënde?

Ndjesitë.

Frika, surpriza, lumturia, misteri, neveria, mërzitia, nervozizmi, argëtimi etj emocione , në një testim, loje teknologjike për fëmijë.

Një moment frymëzues ishte njohja me Helen Sharman, astronauten e parë britanike.

Nxënësit mësuan se, pas kthimit nga stacioni hapësinor Mir, Helen pati nevojë për ndihmë për të qëndruar në këmbë dhe për të ecur, derisa trupi i saj u përshtat sërish me gravitetin e Tokës.

Ata zbuluan gjithashtu se Helen kishte punuar si kimiste përpara se të dëgjonte rastësisht në radion e makinës një thirrje për aplikime për astronautë. Nga qindra kandidatë, ajo u përzgjodh dhe në vitin 1991 u bë britanikja e parë që udhëtoi në hapësirë. Pas misionit të saj, ajo iu rikthye botës së shkencës si komunikuese dhe folëse frymëzuese.

Gjatë gjithë vizitës, nxënësit zhvilluan diskutime, bënë pyetje dhe morën përgjigje mbi tema të shumta që lidhen me shkencën dhe teknologjinë. Mësimi në gjuhën shqipe e bëri këtë përvojë edhe më të afërt dhe më interesante.

Duke u mbështetur në informacionin teknik në gjuhën angleze, mësueset dhe nxënësit përshtatën dhe pasuruan së bashku një fjalor me terma të rinj në gjuhën shqipe.

Fëmijët patën një vëmendje të madhe dhe prurja në gjuhën shqipe erdhi natyrshëm në çdo pjesë të këtij muzeumi.

Mësimdhënia në muze mbetet një vlerë e shtuar e programit arsimor të Shkollave Shqipe Westminster dhe Chiswick “Ardhmëria” në Londër, duke dëshmuar se gjuha shqipe mund të mësohet dhe të zhvillohet me sukses në çdo mjedis edukativ.

Ky projekt i rëndësishëm realizohet nga mësueset Anila Kadija dhe Taulanda Haklaj, të cilat vazhdojnë të krijojnë përvoja të pasura dhe frymëzuese për nxënësit shqiptarë në diasporë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *