Dita e parë e “Orës Shqip”
Në ditën e parë të zhvillimit të orës shqip, e koordinuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe bazuar mbi programin e hartuar nga ASCAP, nxënësit e shkollës verore të ardhur nga Zvicra u njohën me programin mësimor që do të zhvillojnë gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Programi mësimor për shkollën verore “Jam shqiptar” synon të ndërgjegjësojë fëmijët për identitetin e tyre kombëtar, të ngjallë krenarinë e tyre për pasurinë gjuhësore dhe kulturore, si dhe t’i pajisë ata me njohuri dhe aftësi gjuhësore praktike, të cilat do t’i plotësojnë dhe do t’i vlerësojnë gjatë gjithë jetës, duke krijuar kështu lidhje të qëndrueshme me rrënjët dhe me trashëgiminë e tyre kombëtare.
Në ditën e dytë të zhvillimit të orës së shqipes, nxënësit shqiptarë nga Zvicra u njohën me historinë dhe kulturën e kryeqytetit të Shqipërisë – Tiranës.
Mësuesit shoqërues, duke ndjekur programin mësimor të shkollës verore, i udhëhoqën fëmijët nëpër informacionet kryesore për qytetin: vendndodhjen, historikun dhe pikat me rëndësi kulturore e shoqërore.
Gjatë bisedave ndërvepruese, nxënësit shfaqën interes të madh dhe shumë kuriozitet për të mësuar më shumë rreth jetës në Tiranë, duke e ndjerë veten gjithnjë e më pranë rrënjëve të tyre shqiptare. (Nga QBD)