Shkolla shqipe “Ardhmëria” në Londër, organizoi një ngjarje të paharrueshme pranë bustit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti

Shkruan: Anila Kadija

Sot, shkolla shqipe “Ardhmëria” në Londër, së bashku me nxënës dhe prindër, organizoi një ngjarje të paharrueshme pranë bustit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky aktivitet ishte pjesë e projektit të muajit maj, titulluar “Kur lind një hero”.

Kryetar i shoqatës “Ardhmëria” dhe Lidhjes së mësuesve në Mbretërinë e Bashkuar Lutfi Vata, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e kësaj vizite dhe ftoi të gjitha shkollat shqipe në Londër që ta vizitojnë bustin e heroit tonë, duke e konsideruar si një obligim kombëtar dhe atdhedashës. Ai gjithashtu e nënvizoi se një akt i tillë është një mundësi për të rritur brezin e ri me ndjenja krenarie dhe respekt për figurat kombëtare.

Duke falënderuar mësuesen Anila Kadija për idenë e veçantë dhe e inkurajoi komunitetin të punojë më shumë me fëmijët, që ata të njohin dhe të respektojnë heronjtë kombëtarë të Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare. Ai theksoi rëndësinë që brezi i ri të njohë dhe të jetë krenar për kulturën, traditën dhe historinë e vendit të origjinës, duke e ruajtur identitetin e tij përmes edukatës dhe përpjekjeve të përbashkëta.

Prindi Edmir Hoxha, duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite, tha se: “I gjithë komuniteti duhet ta vizitojë këtë bust të heroit tonë, sepse unë mendoj që për shkak të Skënderbeut ne ekzistojmë si komb.”

Në këtë aktivitet, nxënësit e udhëhequr nga mësuesja dhe ideatorja e projektit, Anila Kadija, mbollën një lule Begonjë si simbol të përkujtimit dhe vazhdimësisë së jetës. Kjo ishte një mënyrë simbolike për të lidhur kujtimin me jetën që vazhdon, duke u angazhuar për të ruajtur dhe kultivuar vlerat atdhetare.

Kjo ngjarje ishte një shembull i shkëlqyer i angazhimit për të ruajtur lidhjet me historinë dhe identitetin kombëtar në diasporë, në zemër të Londrës.