TAKIM PËRMBYLLËS I KKAD-së PËR VITIN 2025

Sektori i informimit të KKAD-së

Isuf Bytyçi

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë – KKAD, më 30.12.2025 mbajti takim virtual me rastin e fundvitit 2025.

Në fjalën e hapjes së takimit, z. Mustafë Krasniqi, pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit, foli për sukseset dhe sfidat, të cilat i kishim si KKAD gjatë vitit 2025.

Gjatë takimit u fol edhe për punën e angazhimin e anëtarëve të KKAD-së , sidomos për seminarin virtual, i cili u mbajt më 6-7 dhjetor dhe qe rezultat i punës sonë me pjesëmarrje shumë të madhe të mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, gjë që nuk është rastësi, por fakt se , puna, transparenca dhe unifikimi i diasporës, bënë që ta kuptojnë dhe të afrohen aktivistë e ekspertë nga të katër anët e globit për të bashkëpunuar në këtë organizim. Kjo do të thotë se ky është unifikimi i diasporës shqiptare për shkollën shqipe, në bashkëpunim me institucionet tona të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës.

Kryetari i KKAD-së, z. Mustafë Krasniqi, foli për botimin e një monografie rreth punës 5-vjeçare të KKAD-së ku do të përfshihen edhe punimet e seminarit. Të gjithë të pranishmit e mbështetën këtë propozim dhe për nder të fundvitit, i ngritën gotat me urimet që viti 2026 të jetë më i shëndetshëm, më i suksesshëm e, duke na u realizuar edhe ato detyra e dëshira që kemi!