Rrënjët Shqipe në Tokën e Gjelbër: Libri dhe Gjuha Bashkojnë Komunitetin


“Book Lovers” në Dublin – Një Dritare Shqiptare në Zemër të Irlandës

Më 23 gusht 2025, në ambientet e The Civic Centre, Blanchardstown Centre, Dublin 15, u shënua një ditë e veçantë për komunitetin shqiptar në Irlandë: u themelua klubi i librit në gjuhën shqipe “Book Lovers”, si dhe u hodhën hapat e parë për hapjen e kursit të shqipes për fëmijët.

Nismëtaret e këtij projekti, znj. Liljana Picari dhe znj. Arjana, të njohura për angazhimin e tyre në komunitet, u mbështetën nga disa dashamirëse të tjera të librit shqip. Në këtë takim të parë ishte e pranishme edhe znj. Anila Kadija, themeluese e klubit “Book Lovers” në Londër, nismë e cila frymëzoi edhe hapjen e këtij klubi në Dublin.

Qëllimi i klubit është i qartë: ruajtja dhe përhapja e gjuhës shqipe në diasporë përmes letërsisë, leximit dhe diskutimit kulturor. Gjatë takimit të parë, veç leximit dhe bisedës rreth librave, pjesëmarrëset vendosën që nisma të shtrihet edhe më tej, duke hapur një kurs në gjuhën shqipe për fëmijët e lindur dhe rritur në Irlandë. Ky kurs do të zhvillohet po në bibliotekën ku u mbajt aktiviteti, falë kontributit vullnetar të anëtareve të klubit.

Pjesëmarrëset, shumica nëna të fëmijëve të lindur në Irlandë, shprehën dëshirën që krahas leximit të librave për të rriturit, të ofrohet edhe një mundësi për edukim në gjuhën amtare për fëmijët. “Është një mision i bukur, që bashkon dashurinë për atdheun me angazhimin komunitar,” u shprehën nismëtaret.

Një falënderim i veçantë iu adresua stafit të bibliotekës për mbështetjen dhe mikpritjen, në veçanti znj. Patricia dhe znj. Anka, të cilat koordinuan organizimin mes bibliotekës dhe “Book Lovers Dublin”.

Në aktivitet u prezantuan disa tituj në gjuhën shqipe, ndër të cilët:

  • Vedat Kokona – Endur në tisin e kohës (kujtime)
  • Ernest Hemingway – Plaku dhe deti
  • George Orwell – Ferma e kafshëve
  • Sami Frashëri – Gratë (përkthyer nga turqishtja nga Hamdi Bushati, 1879)
  • Anila Kadija – Ninulla e zemrës (poezi didaktike për fëmijë)
  • Edmond Dragoti & Emanuela Ismaili – Seksualiteti

Klubi “Book Lovers” në Dublin premton të bëhet një hapësirë e gjallë e kulturës, gjuhës dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve në Irlandë, duke forcuar lidhjet me trashëgiminë dhe identitetin kombëtar (Nga Anila Kadija).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *