Nga Eriketa Qorlazja

Të dashur kolegë! Ne jemi të gjithë mësues, por jo thjesht dhe vetëm mësues.Ne jemi përçues të gjuhës shqipe në diasporë, pra mbartës të një misioni të veçantë e të shenjtë që shkon përtej librave dhe orëve mësimore, mësues që mbajnë gjallë fjalën shqipe larg atdheut, që lidhin fëmijët me rrënjët e tyre, pra një mision patriotik për sot e për të ardhmen.
Ky mision i jep punës sonë një domethënie e vlerë të madhe, por edhe vështirësi e pengesa që kërkojnë përballje me durim e besim.
Sepse ne nuk mësojmë vetëm shkronja- pasi ne ruajmë një pjesë të shpirtit shqiptar në çdo fëmijë që mëson të thotë me krenari ” unë flas shqip”.
Në kushtet e diasporës, në Greqi, në vendin ku unë dhe shumë prej nesh jetojmë, ku shumë fëmijë shqiptarë rriten në një realitet shumëgjuhësh, ruajtja e gjuhës amtare bëhet përpjekje e përbashkët.
Dhe kjo përpjekje shpesh përballet me sfida të mëdha, të cilat kërkojnë b/punim të qëndrueshëm midis tre komponentëve: prindit, mësuesit e institucioneve shtetërore.
Përse e them këtë:
1.Së pari, prindi është b/udhëtari që mbështet fëmijën dhe ura e parë që e lidh me gjuhën e kulturën e vendit të tij të origjinës
2.Së dyti, mësuesi është udhëheqësi që frymëzon dhe ndihmon nxënësin të dojë shqipen.
3.Së treti, institucionet shtetërore ofrojnë ndihmë e lehtësira për ta bërë këtë proçes të mundur.
Le të ndalemi për pak tek përgjegjësitë dhe mundësitë që ka secili prej tyre dhe sesi mund të ndërtohet një model i qëndrueshëm b/ punimi midis tyre.
Pse duhet ky model? Pse është kaq i domosdoshëm që përveç punës dhe përgjegjësive që kanë dhe bëjnë secili nga këta faktorë, të ekzistojë një harmoni e plotë midis tyre Sepse:
a) fëmijët në diasporë rriten mes dy kulturave dhe mësimi i gjuhës së origjinës është nevojë dhe domosdoshmëri për të patur sukses.
b) gjuha shqipe rrezikon të mbetet vetëm një simbol në të ardhmen , nëse përpjekja nuk është e trianshme,
c) dhe sepse një fëmijë e mëson gjuhën amtare kur e dëgjon në shtëpi, e përdor në komunikim dhe e ndien të vlerësuar nga shteti amë.
Le të shohim pra se ku gjenden vështirësitë , ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se pa ditur dhe dalluar ato nuk kemi rezultat në kapërcimin e tyre
Sfidat dhe pengesat që hasin prindërit
1.Konflikti mes kohës dhe dëshirës.
Prindi dëshiron që fëmija të mësojë shqip, por puna me orar të zgjatur, detyrimet familjare dhe jeta e vështirë në emigracion e vështirësojnë jetën e tij të përditshme.
Kështu, edhe kur ekziston dëshira, mungesa e kohës kthehet në pengesë të parë.
2.Ndikimi i gjuhës së shumicës.
Në mjedin grek , gjuha e përditshme e fëmijës
është greqishtja. Fëmijët e ndiejnë shqipen si gjuhë të dytë të përdorur vetëm në shtëpi.
Pra, prindi gjendet në dilemë; dëshiron integrimin por nuk do asimilimin
3.Pasiguria për të ndihmuar fëmijën në mësime.
Jo të gjithë prindërit janë të aftë të ndihmojnë fëmijët në mësimet e shqipes, sidomos kur vetë nuk e përdorin më çdo ditë.Kjo u krijon një ndjenjë largësie nga proçesi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe. ( unë ia mësoj vetë gjuhën shqipe)
4.Mungesa e informacionit për shkollat shqipe.
Shpesh prindërit nuk janë të informuar për ekzistencën e kurseve, vendin dhe oraret ku zhvillohet mësimi.
Kjo e bën të vështirë pjesëmarrjen e përfshirjen e tyre.Këto pika të mësimit nuk janë të qëndrueshme.
Mund të funksinojë sivjet në këtë adresë dhe vitin tjetër diku tjetër.Prindi e humbet kontaktin ose nuk e ndjek dot për arsye të largësisë.
5.Frika e ngatërrimit gjuhësor.
Një paragjykim i zakonshëm është ideja se mësimi paralel i shqipes dhe greqishtes e “ngatërron fëmijën”.
Në fakt ndodh e kundërta- fëmija bëhet më i aftë gjuhësisht dhe më i hapur nga ana shoqëroro- kulturore.

6.Sfida ekonomike.
Edhe pse mësimi i gjuhës shqipe është falas, ka gjithsesi “kosto të fshehura”. Si kostoja e transportit , materialeve dhe mungesa e kohës.
7.Gjendja politiko- ekonomike në Shqipëri
ka sjellë zbehjen e dëshirës së familjeve shqiptare për banim të përhershëm në atdhe, dhe si rrjedhim rënien e interesit të prindërve për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e tyre. Duke mos parë një mundësi rikthimi vjen dhe zbehja e interesit për mësimin e gjuhës shqipe
Le të shohim pengesat që has faktori i dytë.
Nga ana tjetër mësuesi i gjuhës shqipe në diasporë është ura e dytë , mbartës i gjuhës e kulturës shqiptare.
Ai nuk është vetëm mësimdhënës, por edhe organizator, ndërmjetës, frymëzues, motivues.
Gjithashtu, edhe ai has në rrugë plot sprova
1, Akoma kemi mësues që punojnë në kushte vullnetare, pa mbështetje financiare apo njohje të rolit të tyre nga shteti.
- Përveç bazës materiale enkas për diasporën të vënë në dispozicion nga ministria e arsimit, mësuesit i duhet të kërkojë e sigurojë materiale plotësuese sipas nevojave të nivelit të nxënësve, gjë që kërkon kreativitet, kohë dhe përgatitje, për ta bërë mësimin sa më argëtues e të këndshëm.
- Shpeshherë mungojnë ambientet e përshtatshme, lejet për to apo mjetet teknologjike.Në këto raste mësuesit i detyrohet të improvizojë.
Në të kundërt, mësimi bëhet në mënyrë të kufizuar. - Përshtatja e metodave me realitetin shumëgjuhësh. Në shumë raste nxënësit nuk kanë të njëjtin nivel, kështu që
mësuesit i duhet të përdorë metoda si lojëra, ndërveprim aktiv dhe mësimdhënie të diferencuar, për të mbajtur të gjallë interesin e nxënësve.
5.Trajnime metodiko- didaktike të përshtatshme për situatën e diasporës janë të domosdoshme e të nevojshme .Kjo nevojë e vazhdueshme për zhvillim profesional është e suksesshme kur këto bëhen on line ose në vendin ku mësuesi jeton e punon.
Nga përvoja personale si mësuese besoj se është e domosdoshme për këtë mund të them duhet të ketë vëmendje më të madhe për organizimin e programeve për zhvillimin profesional të mësuesve në diasporë nga institucionet shtetërore të specializuara në këtë drejtim. - Marrëdhëniet me prindërit është një tjetër sfidë që duhet të kapërcejë mësuesi.
Jo të gjithë prindërit janë të ndërgjegjshëm për rolin e gjuhës amtare dhe të mësuesit si specialist për të arritur këtë tek fëmija e tij.
Kjo kërkon durim, komunikim të sinqertë dhe besim të ndërsjelltë midis dy palëve.
7.Sfida emocionale.
Jo rrallë ndodh që mësuesi të përballet me ndjesinë se puna e tij është e padukshme e jo e vlerësuar si duhet. Por rezultati i punës së tij në fund të vitit i jep kuptim çdo lodhjeje.
Kjo është sfida më e bukur dhe njerëzore.
Faktori i tretë dhe po aq i rëndësishëm është roli i institucioneve.
Institucionet shtetërore kanë një rol thelbësor në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe tek fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë jashtë vendit. Ky rol përfshin një sërë detyrash dhe
përgjegjësish që synojnë forcimin e identitetit kombëtar dhe mbështetjen e mësuesve, prindërve dhe komuniteteve shqiptare E them këtë sepse pa mbështetje zyrtare, mësimi i gjuhës shqipe në diasporë mbetet i varur vetëm nga vullneti i komunitetit. a)
Shteti është ai që garanton cilësinë, vazhdimësinë dhe dinjitetin e këtij misioni kombëtar.
Shteti amë është dhe duhet të jetë mbështetësi më i fuqishëm në procesin e gjuhës shqipe në diasporë, ndihmon me programe e trajnime, seminare mbarëkombëtare e vlerësim të mësuesit
b) Shteti pritës jep hapësira, njohje e integrim kulturor e profesional.
c) Ambasadat e shoqatat janë hallkë lidhëse, që ky proçes të mbijetojë.
Duhet të jemi të sinqertë, se pas çdo pengese ekziston një hap përpara.
Bashkëpunimi i vazhdueshëm midis prindit, mësuesit e institucioneve shtetërore mund të arrijë ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm për brezat që mësojnë gjuhën shqipe larg atdheut.
Kur prindi, mësuesi e institucionet bashkohen:
📌 Fëmija ndihet i motivuar
📌 Gjuha shqipe merr jetë
📌 Edukimi bëhet mision i përbashkët.
Cilat janë mundësitë e rrugëzgjidhjet për t’ia arritur këtij qëllimi.
1.Bashkëpunim i hapur dhe i rregullt midis palëve
“Sekreti”- komunikimi.
Komunikimi i vazhdueshëm èshtë themeli i çdo marrëdhënieje të qëndrueshme.
- Krijimi i takimeve periodike midis prindêrve dhe mèsuesve për të diskutuar progresin e
fëmijëve. - Krijimi i grupeve bashkèpunimi ku përfshihen perfaqesues te institucioneve
shqiptare, komunitetit dhe mësuesve.
Kjo ndihmon në ndarjen e ideve, problemeve dhe gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Kemi plor raste kur komuniteti shqiptar në Greqi ka ndihmuar në nxjerrjen e lejeve dhe gjetjen e ambienteve të reja për funksionimin e kurseve të gjuhës shqipe
- Mbështetje dhe trajnime për mësuesit
a) Trajnime online e në terren për metodologjine bashkëkohore të ësimdhënies në diasporë.
b) Krijimi i rrjeteve profesionale të mësuesve për shkêmbim pervojash dhe materialesh. - Përfshirja aktive e prindërve , si projekte, bisedë në shpërndarjen e përvojave të tyre në klasë.
Gjithashtu ,organizimin e ditëve familjare, aktiviteteve të përbashkëta me fëmijët si festa , këngë, letërsi për fëmijë, lexime në shqip, lojëra gjuhësore , folklori, të cilat janë porta të arta drejt gjuhës ku prindi ndihmon, mbështet dhe njëkohësisht ndihet edhe vetë mirë, pjesë e proçesit mësimor.
Dhe kur ke ftuar prindin, ke fituar dhe fëmijën e tij. - Bashkëpunimi i ngushtë me Ambasadën, Konsullatën, QBD- në, për sigurimin e materialeve didaktike,klasave dhe lejeve për zhvillimin e mësimit.
- Vlerësimi moral dhe material i mësuesve cili nxit ndjenjën e krenarisë dhe përkushtimit.
Të nderuar kolegë, këto dy ditë ne patëm mundësinë të dëgjonim kumtesa interesante dhe me nivel, nëpërmjet të cilave ju treguat përvojat, sukseset, rrugët për të arritur ato si dhe vështirësitë që hasni, ndatë ide dhe projekte të realizuara me pasion e sukses.
E ku ka më bukur të jemi të gjithë bashkë, e me ndihmën e teknologjisë të japim e të marrim, të ndihmojmë e frymëzojmë njëri – tjetrin, të kapërcejmë çdo dyshim e lodhje apo zhgënjim, e me zemër të hapur të ndihemi krenarë për qëllimin tonë të përbashkët, sepse ne nuk jemi thjesht mësues, ne kemi titullin e nderuar ” Mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë”
Faleminderit për mundësinë për të reflektuar së bashku mbi misionin tonë të përbashkët — mësimin dhe dashurinë për gjuhën shqipe.
Përgëzime të veçanta KKAD-së, nismëtare dhe organizatore e këtij seminari të mirëpritur!