(Punimet e të dyja ditëve të seminarit do të publikohen në gazetën online të KKAD-së)
Nga Arta Emiri
Sektori për informim i KKAD
Seminari i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë me temë : “ Rrugëtimi i klasave të gjuhës shqipe në diasporë:, nga entuziazmi i fillimit te qëndrueshmëria dhe cilësia e mësimit” vijoi punimet në ditën e dytë të tij, më 7 dhjetor nga ora 16.00 – 20.00 (sipas orës së Tiranës) përmes platformës Zoom, nën moderimin profesional dhe shumë ambicioz të dy moderatoreve: Aurela Konduri, aktualisht n/kryetare e KKAD-s; Anita Durici, njëkohësisht zëdhënëse e KKAD-së.
Në vijim të agjendës, dita e dytë u hap me një kolazh me recitime nga fëmijë të shkollave shqipe në diasporë të cilët ashtu siç theksoi dhe moderatorja e këti seminari, Anita Duriçi “Këta fëmijë janë dëshmi e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe punës së vyer të mësuesve në diasporë”
Ajo qe u vu re në të dyja ditët e punimeve të seminarit ishte prania e përfaqësuesve diplomatikë të Shqipërisë dhe Kosovës që ushtrojnë detyrën e tyre në shtete të ndryshme.
Kështu, ditën e dytë përshëndetën: znj. Genta Mburimi, Konsulle e Përgjithshme në Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Mynih dhe znj. Monika Zguro, Konsulle pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër.

Kalendari shkollor është pika e parë e nisjes dhe përcaktimi mjaft i qartë i objektivave që një mësues duhet të ketë dhe duhet ta kultivojë ate, qe prej fillimit të nisjes së vitit shkollor. Kjo ishte nje pikë kryesore qe u trajtua me mjaft kujdes nga Dr. Vaxhid Sejdiu, i cili solli edhe shembuj konkretë nga puna e tij me shkollat shqipe në Zvicër.
Një temë shume interesante qe u trajtua me mjaft profesionalizëm ishte edhe ajo e profesoreshë Entela Tabakut, ligjëruese e gjuhës shqipe dhe asaj italiane në Universitetin e Upsalës në Suedi. Ajo u ndal te dallimet gramatikore si pikënisje dialetike ku theksoi se, gjuha zotëruese është ajo gjuha e vendit ku fëmija jeton dhe mëson, por që ndikon në gjuhën shqipe, prandaj gjuha shqipe duhet të dallohet nga gjuhët e tjera. Një çështje e rëndësishme është vështirësia që shpesh nxënësi ka për te bërë dallimin midis gjuhës zotëruese dhe asaj shqipe, pra: ” nëse një nxënës e ka te vështirë të bëjë dallimin ndërmjet kohës së foljeve në gjuhën zotëruese dhe atë shqipe, atëherë kjo është çështja me të cilën mësuesi duhet te merret dhe t’i kushtoje vëmendje” – u shpreh profesoreshe Entela Tabaku .
Trekëndëshit mësues- nxënës – prind, u trajtua fillimisht nga mësuesja e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Stockholm te Suedisë, njëkohësisht anëtare e KKAD-se Arta Emiri, ku theksoi rolin që prindi është hallka e parë e trekëndëshit mësues-nxënës-prind, pasi prindi njeh karakterin e fëmijës, por edhe e nxit atë të jetë me i përfshirë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Gjithashtu ajo theksoi se mësuesit duhet të hartojnë projekte ku të përfshihet edhe puna e prindit, se kështu rritet jo vetëm efektiviteti i një ore mësimi, por edhe stabiliteti për vazhdimësinë dhe cilësinë e mësimdhënies. Në fund të punimit ajo përcolli mesazhin se duhet gjithmonë të krijojmë ura komunikuese dhe jo mure ndarëse.
Në vazhdën e kësaj tematike ideja për ta bërë prindin një ”bashkëmesues/e” ishin edhe ligjëratat e mësueseve : Eriketa Qorlazja (Greqi), e cila theksoi se sfida më e bukur eshte ajo e mësimdhënies. “Shteti ame duhet të jetë mbështetja kryesore për këtë trekëndësh, duke u bërë syri dhe veshi për çdo mësues të gjuhës shqipe ne diasporë pavarësisht nëse eshte ose jo vullnetar/e.” dhe Djana Koçiaj (Angli) ishte një tjetër mësuese e cila e mbështeti këtë tematikë në fjalën e saj.
Albana Hasku (Itali) trajtoi temën: ”Risi ne mësimdhënien e gjuhës shqipe. Udhëtarët e vegjël në diasporë”, një temë shumë interesante ku ajo tregoi se motivimi arrihet duke e përfshire nxënësin thellë në procesin mësimor.
Negjmije Reçica (Gjermani) hodhi dritë mbi lidhjen e padukshme midis integrimit dhe identitetit si vizion arsimor.
Marsela Mana dhe Rovena Sinani mësuese në Itali, me punimin e tyre patën për qëllim të nxirrnin në pah se si të motivosh nxënësit në klasat kolektive në kushtet e dygjuhësisë, një sfidë e cila kërkon mjaft impenjim dhe profesionalizëm.
”Mësimdhënia e gjuhës shqipe në diasporë është sfidë dhe përkushtim. Gjuha eshte jo vetëm mjete komunikimi,por edhe frymëzim” – u shpreh Anila Berberi, mësuese e gjuhës shqipe në Itali. Ajo me punimin e saj dha mesazhin se, gjuha është një laborator imagjinar, që kushdo që e vë në funksion , bën mrekullira.
Edhe pse dita e dytë e seminarit pati një agjendë më të ngarkuar, interesi për të qenë prezent në mënyrë produktive ka qene shume i lartë, duke shënuar edhe nje numër rekord të pjesëmarrjes.
“Zhvillimi kritik te fëmija nxitet përmes lojës, fantazisë dhe teknologjisë. Integrimi i youtube dhe teksteve të digjitalizuara janë nisma te një ore të suksesshme. Mësuesit janë krijues dhe inspirues” – u shpreh në punimin e saj mësuesja Artjola Ferizi (Zvicër)të cilin e mbështetën në punimin e tyre edhe mësuese të tjera si :Anita Toçi (Angli) dhe Liljana Picari (Irlandë).

Dritëro Gjukaj në prezantimin e tij përforcoi idenë se mësimi i shqipes në diasporë është një burim i vlefshëm dhe mjaft i rëndësishëm në ndarjen midis gjuhës së prejardhjes dhe gjuhës së shkollimit.
Sidorela Doli në punimin e saj solli argumente dhe eksperienca të mësimdhënies së shqipe në Pragë.
Një këndvështrim shumë produktiv ishte punimi i mësueses së gjuhës shqipe në Greqi, Aurela Konduri, e cila theksoi rëndësinë e përdorimit të projekteve si qasje didaktike, që nxit bashkëveprim të lirë te nxënësit, ku roli i mësuesit është të konstatojë vështirësitë e nxënësve në komunikim. “Fëmijët kanë nevojë për përdorim praktik të gjuhës” – u shpreh Aurela Konduri, duke dhënë edhe një mesazh për të gjithë ata që janë të angazhuar në mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
“Gjuha shqipe eshte gjuha e zemrës e cila luan nje rol emocional. Familja eshte shkolla e parë e çdo fëmije.” – ishte mesazhi që përcolli punimi mjaft interesant i mësueses Sadiona Abazaj (Finlandë). Ajo bëri thirrjen që gjuhën shqipe fëmijët mund ta praktikojnë edhe në aplikacionet teknologjike si: Mëso!Shqip, On Albania etj.
Vlen shumë për t’u përmendur edhe punimi i mësueses shumë frymëzuese dhe inspiruese Anita Durici (Zvicer), e cila theksoi rëndësinë e një programi të qartë vlerësimi të punës së fëmijëve për ta kthyer klasën në një ambient motivimi dhe arritjeje. Aktivitetet gjithëpërfshirëse, marrja e një feedback-u pas çdo aktiviteti nxit dhe rrit ruajtjen e klasave ekzistuese, por edhe hapjen e klasave të reja.
Seminari u mbyll me fjalët përshëndetëse të kryetarit te KKAD-ës, z. Mustafë Krasniqi, i cili falënderoi përfaqësuesit e institucioneve, përfaqësive diplomatike, ligjëruesit dhe gjithë mësuesit që morën pjesë në këtë seminar shumë produktiv, duke theksuar rëndësinë e organizimit më të shpeshtë të seminareve të tilla, ku përveç shkëmbimit te përvojave, ideve dhe eksperiencave mes kolegesh, të lihet një hapësirë e veçante edhe e kërkesave apo sfidave që mësuesit përballen çdo herë në mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë.
Mirë u takofshim në organizime të tjera në shërbim të gjuhës shqipe në diasporë!

