Prania e përfaqësuesve diplomatikë dhe institucioneve: një mesazh i qartë mbështetjeje për mësimin e gjuhës shqipe

Shkruan: Anita Duriçi

Seminari dyditor i KKAD- së më 6-7 dhjetor 2025 nuk u dallua vetëm për diskutimet profesionale dhe propozimet konkrete të mësuesve. Çfarë e ngriti peshën reale të këtij aktiviteti ishte prania e vazhdueshme dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i përfaqësuesve diplomatikë të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët ndoqën punimet me vëmendje nga fillimi në fund  për dy ditë radhazi dhe dhanë një sinjal që  institucionet janë të gatshme të mbështesin seriozisht mësimin e gjuhës shqipe në diasporë  dhe e kanë mbështetur deri më tani.

Diplomatët nuk u mjaftuan me prezencë formale. Ata dëgjuan, diskutuan, reaguan dhe motivuan. Fjalët e tyre nuk ishin ceremonial; ishte një thirrje për vazhdim të punës, për forcim të rrjeteve të shkollave shqipe dhe për të mos lënë asnjë  pa mbështetje. Ata theksuan se janë aty për mësuesit,  jo vetëm simbolikisht, por praktikisht.

Qendra e Botimeve për Diasporën, e cila prej vitesh u ka qëndruar krah mësuesve të gjuhës shqipe kudo në diasporë, në pamundësi prezence në seminar të drejtoreshës znj. Mimoza Hysa u përfaqësua në seminar nga znj. Eva Ismajlukaj, përgjegjëse e sektorit të digjitimit, komunikimit dhe projekteve në QBD. Ajo theksoi qartë rolin e Qendres se Botimeve për Diasporën,  në sigurimin dhe shpërndarjen e librave të gjuhës shqipe në çdo vend ku ka komunitet shqiptar dhe ku zhvillohet mësimi plotësues. Ismajlukaj kujtoi se Qendra mbetet gjithmonë e gatshme për mësuesit, duke ofruar mbështetje të plotë me të gjitha mundësitë që ka, ashtu si ka bërë vazhdimisht deri më sot.

Genta Mburimi, Konsulle e Përgjithshme në Mynih e cila ishte e pranishme si ditën e parë edhe ditën e dytë, vuri në dukje qartë se në Gjermani rritja e cilësisë së mësimit të shqipes kërkon bashkëpunim të përhershëm dhe se konsullata do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces pa hezitim siç ka bërë deri tani.

Nga Zvicra, përfaqësuesja e ambasadës, e ngarkuara me punë znj. Monika Zguro, nënvizoi rolin kyç të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, e cila prej vitesh është baza kryesore e funksionimit të shkollave shqipe dhe shpërndarjes së materialeve bashkë me Qendrën e Botimeve për Diasporën.

Secili përfaqësues diplomatik, që nga dita e parë e seminarit, Gjermania me konsullin z. Kolë Gjoka, Austria me Blerina Serjanin dhe konsullen znj. Marigona Vrajollin, si edhe Suedia me konsullin z. Eno Çollaku, deri te dita e dytë, ku morën pjesë Konsullata e Shqipërisë në Mynih dhe Ambasada e Shqipërisë në Bernë, përcollën të njëjtin mesazh të qartë: mësimi i gjuhës shqipe në diasporë është prioritet kombëtar.

Në çdo diskutim u pa qartë se diplomatët janë të vetëdijshëm për sfidat dhe po punojnë që ato të zbuten: bashkëpunim me institucionet vendore, mbështetje për shoqatat, përforcim të rrjeteve të shkollave, përmirësim të komunikimit dhe sigurim të materialeve. Nuk pati premtime boshe, por gatishmëri reale për të vepruar.

Prania e tyre për dy ditë rresht ishte një sinjal i fuqishëm për mësuesit: ju nuk jeni vetëm.

Institucionet janë aty,  të angazhuara, të vëmendshme dhe të gatshme të bëjnë maksimumin që gjuha shqipe të vazhdojë të ecë përpara, sidomos në vendet ku komuniteti është i madh dhe dinamika është e fortë, si Gjermania dhe Zvicra Austri e Suedi por dhe shumë shtete të tjera.

Ky seminar tregoi se kur diplomacia dhe arsimi bashkohen, krijohet një terren solid për të avancuar mësimin e gjuhës shqipe. Mësuesit dhanë përvojën dhe idetë; diplomatët sollën mbështetjen dhe vizionin institucional. Rezultati: një partneritet i vlefshëm që e çon përpara misionin tonë të përbashkët në të mirë të gjuhës shqipe.