Mësuesi Osman Ademi me nxënësit e shkollës shqipe në Austri

Nga Osman Ademi

Të nderuar bashkatdhetarë!
Një nga obligimet tuaja, si prindër shqiptarë, është që fëmijëve tuaj t’ua mësoni gjuhën shqipe. Sigurisht që në shtëpi ju flisni shqip me fëmijën tuaj, por kjo në asnjë rast nuk mund të zëvendësojë shkollën, respektivisht mësimin në gjuhën shqipe, sepse në shkollë fëmija juaj do të mësojë të shkruajë, të lexojë të flasë, të këndojë, të recitojë dhe mbi të gjitha të shoqërohet me fëmijë shqiptarë.

Nga përvoja ime shumëvjeçare i kuptoj shumë shqetësimet tuaja duke filluar nga marrëdhënia e punës, banimi, financat dhe ngarkesat tjera që duhet t`i përballojmë nga dinamika e jetës, por të gjitha këto nuk janë arsye që fëmijët tuaj mos të ndjekin mësimin edhe në gjuhën shqipe! Andaj ju ftoj të komunikoni dhe bashkëpunoni më mësuesit shqiptarë dhe së bashku të punojmë për të ruajtur gjuhën shqipe dhe kulturën tonë kombëtare tek fëmijët tanë. Mos ua mohoni fëmijëve tuaj këtë drejt elementare, sidomos kur të kemi parasyshë edhe mundësinë që na ofron shteti ku jetojmë dhe jemi edhe taksapagues. Fëmijët janë të vegjël që të kuptojnë rëndësinë që ka gjuha shqipe për ta, por nesër mund të na gjykojnë, sepse ju, ne të gjithë së bashku, jemi përgjegjës për ardhmërinë e tyre!