Nga mësuesja Liljana Picari

Sot po sjell përvojën e kursit shqip experimental “Shtator – Dhjetor” 2025 që zhvillohet në ambientet e bibliotekës së Blanchardstown Library, Dublin 15, Irlandë, nga dy mësueset vullnetare Arjana Rama e Liljana Picari. Kursi filloi si rrjedhojë e kërkesës së komunitetit shqiptar dublinez në përgjithësi e të disa nënave dashamirëse të librit në Shqip, anëtare të Albanian Booklovers Club Dublin, në veçanti. Meqenëse kjo kërkesë u paraqit më 23 gusht 2025 në ditën e themelimit të Booklovers e vetëm një javë para fillimit të vitit të ri shkollor, lindën kërkesat për një ambjent mësimdhënie të përshtatshëm, librat shkollorë nga Shqipëria, trajnimi i ne dy mësueseve me metodat bashkëkohore edhe pse unë vetë personalisht kisha eksperiencë disa vjeçare e trajnim mësimdhënie në diasporën italiane dhe kolegia ime me eksperiencë e kualifikim pedagogjik disa vjeçar në Shqipëri. Ambienti mësimdhënës u miratua menjëherë pas kërkesës sonë nga biblioteka ku ishim mbledhur atë ditë. Librat shkollorë u premtuan dhe arritën në një kohë të dytë nga Ambasada shqiptare e Irlandës në Angli. Ndërkohë që kursi filloi me 13 shtator, abetarja e libra të tjerë didaktikë u siguruan nga biblioteka ime personale dhe një kopje e paketës “Gjuha dhe Kultura Shqiptare, Niveli I” e tërhequr personalisht në zyrën e ambasadës sonë në Londër. Nxënësit patën mundësinë të ushtrohen në klasë me skedat e miratuara e të shtypura paraprakisht në shtëpi (me printer personal). Për sa i përket trajnimit bashkëkohor ai u mundësua nga Anila Kadija si anëtare e KKAD-së, mësuese kolege e gjuhës shqipe në Itali dhe si ideatore e Book lovers Club Londër. Vijoi seminari online për mësuesit e Diasporës “Përgatitja e kompjuterit dhe shkrimi i saktë i gjuhës shqipe” nga kolegu mësues e aktivist në Itali, Durim Lika. Seminari online i drejtuar nga Aurela Konduri si mësuese, n/kryetare e KKAD dhe recensuese e paketës së Nivelit të parë, organizuar nga Anila Berberi dhe Këshilli koordinues i shkollave shqipe Itali. Ndërkohë vetëtrajnimi është gjithmonë i frytshëm kudo e kurdo.
Klasa jonë ka 12 nxënës, mosha 5 – 16 vjeç, me dy grupe pune, bëhet 1 herë në dy javë, ditë të shtunë , 14.30 – 16.30 me tabelë letre e kompjuter personal. Programi mësimor i radhës i strukturuar paraprakisht, përgatitet e konsultohet nga ne dy mësueset, iu dërgohet *prindërve për dijeni dhe shtypet bashkë me fletët e punës në shtëpi. Ai ndahet në dy pjesë, e para ajo gramatikore mbi mësimin e shkronjave të alfabetit nga Arjana, e dyta është “Shqipja praktike” ose Practice Albanian, ide e lindur nga eksperienca vetjake si mësimdhënëse e mësimmarrëse në diasporë; koha e shkurtër e mësimit dhe konkretizimi ose dobia e mësimit. Ajo përfshin komunikimin e përditshëm, formulat përshëndetëse, pjesëtarët e familjes, pjesët e trupit, ditët e javës, muajt, stinët, motin, numërimin, emrat e qyteteve shqiptare, këngë për fëmijë, poezi, vallen e pogonishtes, kostumet popullore shqiptare të ilustruara direkt në YouTube, lojra shqiptare etj. Nxënësit janë aktivë dhe metodat e mësimit krijues – argëtues – – të larmishëm si në abetare dhe shqipen praktike, bëjnë që fëmijët të ndjekin mësimin, ta pëlqejnë, ta vijojnë atë në shtëpi e disa prej tyre të lexojnë e të flasin shqip. Atë që unë e kam “merak” si shqiptare e formuar para viteve 90-ë është gjuha letrare standarde. Çdo fjalë e re shqiptohet me zë të lartë nga unë e përsëritet nga fëmijët që të mësohet një shqipe siç duhet që në fillim. Dialektetet janë gjuhët e emocioneve, të zemrave, me gjyshër, me familje në shtëpi, ndërsa jashtë, siç është anglishtja gjuhë ndërkombëtare që të merren vesh çdo qytetar në botë, shqipja standarde do të bëjë që shqiptarët e kulturuar të merren vesh të gjithë nëpër botë. Faleminderit, nuk dua të shtoj më shumë se kaq.
*Prindërit njoftohen, pyeten, përditësohen, konsultohen e kontaktohen direkt para ose pas mësimit dhe në grup whatsapp. Transparenca, koherenca dhe korrektesa është shumë e rëndësishme në këtë drejtim. Loja në skuadër është vendimtare për rezultat, vijimësi e vazhdim në të ardhmen. Faktikisht ky kurs eksperimental i semestrit të pare u miratua e do të vijojë edhe në semestrin e dytë, janar – maj 2026.