Kujtojmë dhe festojmë!

Kujtojmë dhe festojmë!
Aktivitete të zhvilluara nga mësuese, anëtare të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, me rastin e festimit të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Shkruan: Anila Kadija

“Rrënjët në Kosovë”
Viti i dytë i këtij projekti mësimor, mësuesja e gjuhës shqipe Anila Kadija, merr formën e librave fizik me autorë nga Kosova.

Një projekt i larmishëm, i cili do të jetë i ndryshëm çdo vit, por me thelbin e Atdheut – Rrënjëve.

Projekti i këtij viti përfshin vlerën e librave fizik në shqip nga autorë nga Kosova, të cilët i janë kushtuar edhe gjuhës amtare shqipe.

Aktiviteti i tyre letrar dhe artistik është një pasuri e madhe jo vetëm për lexuesin, por edhe për nxënësit tanë. Ata njihen me veprat e tyre, firmën e tyre si autorë, profilin e tyre si përfaqësues, ata njihen me shembullin e tyre.

Në shkollën Ardhmeria Westminster, grupet e moshës 5-10 vjeç u prezantuan me një vajzë të re me emrin Amina Nuraj, e cila ka botuar një libër interesant në vitin 2025 për rrënjët e saj në Kosovë, të titulluar “Une, bija e Atdheut”.

Kjo vajzë është një shembull i bukur dhe domethënës edhe për nxënësit tanë, pasi ajo ka lindur dhe është rritur në Londër dhe flet e shkruan në gjuhën amtare.

Libri me kujtimet e saj, historitë familjare dhe personale, përvojat që ajo i ka shkruar me aq sinqeritet në shqip është një frymëzim për breza të tërë.

Leximi i një pjese të shkurtër. Njohja me portretin e kësaj vajze.
Shfletimi i librit, pasi ka shumë foto të vjetra interesante, të zonës së Sanxhakut, nga e ka prejardhjen Amina.
Shikimi i fotove ngriti gjithashtu edhe shumë pyetje, në lidhje me kostumet popullore të zonës, mënyrën se si ndërtoheshin shtëpitë, për portretet e ndryshme të banorëve, etj.

Në shkollën Ardhmeria Chiswick, ku grupmosha është 10-15 vjeç, e zgjeruam fokusin letrar duke promovuar letërsinë e autorëve: Ibrahim Kadriu, Sami Islami, Aidan Hehir, Isuf Bytyçi, Ragip Kçiku dhe të tjerë në vijim.
U njohëm me biografitë e tyre, lexuam disa rreshta simbolikisht për t’u njohur me stilin e veprës së tyre letrare – gjuhësore.

Qëndruam pak më gjatë te veprat e autorëve që jetojnë në Londër, siç është profesori irlandez Aidan Hehir, në Universitetin Westminster, Londër.
Nxënësit e rritur e gjetën librin shumë interesant dhe të veçantë, në dy gjuhë njëkohësisht.
Një histori që i kushtohet, me Lulet e Srebrenicës, fakteve reale dhe dëshmive të një udhëtimi personal.
Një libër për ta konsideruar vërtetë pasuri në bibliotekat tona.

Shfletuam librin e kritikut dhe hulumtuesit për gjuhën shqipe autori Sami Islami.
U ndalëm te disa theksime gjuhësore që ai bën me aq saktësi, në librin e tij “Për gjuhën”.

Lexuam poezi nga autori Sherif Bllaca të marra nga libri i tij “Le ta dëgjojnë kohërat këngën time”.

Si kujtesë.
Vitin e kaluar, forma e këtij projekti ishte një histori personale nga mësuesja Vlora Vojvoda për qytetin e Vushtrrisë dhe mësuesja ndihmëse Alije Krasniqi për fshatin Smallushë në komunën e Lipjanit.

Kujtime të fëmijërisë, përshtypje nga shkollat ​​që vazhdonin atje, familja, tradita ku zhvilloheshin edhe dasmat në Kosovë, fakte dhe ngjarje nga lufta çlirimtare, kthimi në atdhe dhe përjetime të bukura në kohën e tashme.
Ato kanë treguar fakte shumë të vlefshme të dedikuara për vendlindjen e tyre dhe kanë ndarë me ne foto, video, orendi, punë dore, harta apo pjesë përmbledhëse ligjëruese.

Projekti do të vazhdojë gjatë gjithë shkurtit, duke e pasuruar atë, çdo të shtunë me rrënjët në Kosovë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *