Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë zhvilloi mbledhjen përgatitore për seminarin dyditor që do të mbahet më 6-7 dhjetor

Sektori i informimit i KKAD-së
Arta Emiri

Më 30 nëntor 2025, në orën 20:30, anëtarët e KKAD-së Mustafe Krasniqi – Gjermani, Miradije Berisha – Austri, Aurela Konduri – Greqi, Mira Shehu – Kanada, Dritan Mashi – Itali, Isuf Bytyçi – Gjermani, Teuta Tabaku – Turqi, Arta Emiri – Suedi, Anita Duriçi – Zvicër, u mblodhën online për të përgatitur seminarin ndërkombëtar me temë: “Rrugëtimi i klasave të gjuhës shqipe në diasporë: nga entuziazmi i fillimit te qëndrueshmëria dhe cilësia e mësimit” që do të zhvillohet më 6 dhe 7 dhjetor 2025.

Takimi nisi me prezantimin e agjendës dhe me një theks të fortë te bashkëpunimi, mbështetja dhe angazhimi i të gjithë anëtarëve, sepse ky seminar nuk është një aktivitet rutinë: është një mesazh i qartë për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, për nxënësit që e mësojnë gjuhën e prindërve të tyre dhe për prindërit që e mbështesin këtë rrugëtim dhe institucionet shtetërore.

Gjatë diskutimit u vu re një pjesëmarrje e konsiderueshme e mësuesve si pjesëmarrës, por edhe si ligjërues, por mbetet për t’u theksuar fakti se, pjesëmarrja mund të ishte në nivele më të larta, pasi diaspora nuk është vetëm pak shtete por në mbarë botën.  Si hera e parë, të gjithë njëzëri themi :  qoftë këmba e mbarë për çdo gjë të bukur që bëhet për gjuhën shqipe dhe në emër të saj.

Si nismë e parë e këtij lloji, mbetet shpresa që ky të jetë vetëm hapi i parë i një tradite të qëndrueshme për gjuhën shqipe. Rëndësinë e aktivitetit e shton edhe prania e pritshme e diplomatëve, përfaqësuesve të QBD-së dhe institucioneve arsimore nga Shqipëria dhe Kosova.

Gjatë kësaj mbledhjeje u theksua rëndësia e respektimit të kohës për çdo ligjërues, e cila është planifikuar 6–7 minuta për secilin ligjërues/e, duke bërë të mundur kështu përmbledhjen thelbësore të të gjithë punimit të tyre. Nëse ndonjë ligjërues mund të mbarojë para kohës së përcaktuar, është e drejtë dhe e logjikshme të shtrohet ndonjë pyetje nga dëgjuesit, pasi kjo nxit ndërveprim dhe diskutim gjatë seminarit. Punimet janë parë me kujdes dhe janë pranuar vetëm ato që lidhen drejtpërdrejt me temën, për të mbajtur fokusin e seminarit të pastër dhe koherent.

Anëtarët e KKAD-së sipas shteteve respektive ku jetojnë dhe zhvillojnë mësimdhënien, edhe këto ditë të mbetura, mund të bëjnë shpërndarjen dhe informimin e mbajtjes së seminarit më 6 dhe 7 dhjetor 2025, ku të gjithë pjesëmarrësit do të njoftohen me email dhe me linkun përkatës të pjesëmarrjes. Prandaj deri në këtë pikë të punës, me shumë përulësi themi që jemi në rrugën e duhur, pasi mbajtja e një seminari të tillë nuk është vetëm një shkëmbim përvojash dhe eksperience pune midis mësimdhënësve në shtete të ndryshme, por kjo rrit qendrueshmërinë e pjesëmarrjes së fëmijëve në mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Në vijim të diskutimeve u prekën sfidat e përditshme me të cilat përballen mësimdhënësit në diasporë, si edhe përvoja e organizimit të festave të Nëntorit, ku secili anëtar solli realitetin e vet, bashkë me kontributin e prindërve dhe atmosferën që krijohet në komunitet. U propozua gjithashtu që punimet e seminarit të publikohen më pas në gazetën online të KKAD-së, në mënyrë që edhe ata që nuk mund të marrin pjesë t’i kenë të arritshme.

Takimi u mbyll me bindjen dhe energjinë se ky seminar është vetëm fillimi i një rrugëtimi më të gjatë dhe më të madh për ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe ndër brezat në diasporë.

Shihemi në Seminarin e 6-7 dhjetorit !