ORGANIZIMI I NJË PIKE SHKOLLORE NË ZVICËR

Punimi nga Dr. Vaxhid Sejdiu

Përpjekjet e mësuesit për ta mbajtur gjallë një pikë shkollore apo disa pika shkollore, ku gjatë gjithë javës punojnë me një fond të plotë orësh, në një periudhë mbi tridhjetëvjeçare, dëshmojnë sukses, përkushtim dhe angazhim të lartë profesional në punën e tyre. Ky sukses, i bazuar kryesisht në punën vullnetare të mësuesit dhe në bashkëpunim me aktorë të tjerë (prindër, kolegë, arsimdashës), lirisht mund të krahasohet me institucione që disponojnë fonde, staf dhe kohë, por rezultatet e të cilave nuk janë në këtë nivel.

Thënë shkurt, jetëgjatësia e pikave shkollore vlerëson nivelin e organizimit të një pike shkollore apo të pikave shkollore (klasave) ku ato krijohen dhe zhvillohen. Prandaj, mund të themi me plot gojën se mësues të tillë përfaqësojnë një vlerë të shtuar dhe janë misionarë të devotshëm në përhapjen e “dritës së diturisë” në gjuhën shqipe, kudo që jetojnë dhe veprojnë.

Hyrje

Shtypni mbi foto

Mësimi i gjuhës shqipe në Mërgatën Shqiptare përfaqëson një nga format më të rëndësishme të ruajtjes së identitetit kombëtar, jo vetëm për përhapjen e gjuhës, por edhe për shkak të nevojës së madhe të fëmijëve shqiptarë, ku mendohet se mbi 50% e tyre jetojnë larg atdheut. Në këtë kontekst, organizimi i një pike shkollore për mësimin e gjuhës shqipe nuk është vetëm një çështje didaktike, por edhe një proces kompleks organizativ, pedagogjik dhe shoqëror.

Qëllimi i këtij punimi është të trajtojë kuptimin e organizimit të një pike shkollore, faktorët që ndikojnë në funksionimin e saj, si dhe rrugën konkrete drejt krijimit dhe konsolidimit të saj në kushtet e mërgatës.

1. Kuptimi i organizimit të një pike shkollore

Me organizimin e një pike shkollore nënkuptohet tërësia e veprimeve të planifikuara që synojnë krijimin dhe funksionimin e një klase, ku zhvillohet rregullisht mësimi i gjuhës shqipe, si dhe edukimi kombëtar i nxënësve jashtë atdheut. Ky organizim përfshin aspekte të ndryshme, si: planifikimin e mësimit, sigurimin e kushteve hapësinore, pajisjen me tekste shkollore, angazhimin e mësuesve, bashkëpunimin me prindërit dhe zhvillimin e aktiviteteve edukative e kulturore.

Zgjidhja që konsiderohet funksionale për organizimin e një pike shkollore është ajo që është:

  • e thjeshtë, duke iu përshtatur rrethanave konkrete të komunitetit;
  • e dokumentuar, në përputhje me rregulloret dhe planet mësimore të Ministrive të Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, si dhe me planet mësimore të Drejtorive Arsimore vendore (në këtë rast në Zvicër);
  • e provuar në praktikë, përmes përvojës shumëvjeçare të shkollave shqipe në mërgatë;
  • e mbështetur në fakte konkrete, që burojnë nga:
    • organizimi i pikave shkollore (klasave),
    • organizimi i orëve mësimore,
    • zhvillimi i aktiviteteve të lira dhe kulturore.

Organizimi i qëndrueshëm i një pike shkollore kërkon një qasje sistematike dhe afatgjatë, ku mësimi formal plotësohet me veprimtari jashtëmësimore që forcojnë lidhjen e nxënësve me gjuhën dhe kulturën shqiptare, si dhe përpjekje të vazhdueshme për zbatimin e metodave dhe formave të reja të punës.

Të mbash një pikë shkollore (klasë) për më shumë se tridhjetë vjet, në mënyrë të rregullt, me një numër të konsiderueshëm nxënësish (mbi 50), të ndarë në tri nivele (klasat I–II–III, IV–V–VI dhe VII–VIII–IX), përbën pa dyshim një sukses të jashtëzakonshëm.

2. Faktorët që ndikojnë në organizimin e pikës shkollore

Organizimi dhe funksionimi i suksesshëm i një pike shkollore varen nga një sërë faktorësh të ndërlidhur, ndër të cilët më të rëndësishmit janë:

  • faktori njerëzor, që përfshin mësuesit, prindërit, nxënësit dhe veprimtarët e komunitetit;
  • mbështetja e prindërve, e cila është vendimtare për vijueshmërinë e nxënësve;
  • kushtet infrastrukturore, si sigurimi i hapësirave për zhvillimin e mësimit dhe puna administrative në bashkëpunim me Drejtoritë e shkollave zvicerane;
  • organizimi institucional, përmes bashkëpunimit me shoqata kulturore e arsimore dhe, në radhë të parë, me drejtoritë arsimore vendore;
  • motivimi dhe përkushtimi, si elementë kyç për tejkalimin e vështirësive.
  • koordinimi i një bashkëpunimi profesional me Institucionet tona ministritë  e arsimit, ministritë e punëve të jashtme (ambasadat) etj.

Mungesa e njërit prej këtyre faktorëve ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe qëndrueshmërinë e pikës shkollore.

3. Konceptimi i pikës shkollore

Pika shkollore, apo “Shkolla shqipe”, konceptohet më shumë sesa një ambient mësimor. Ajo përfaqëson:

  • një vend pune (për mësuesin) dhe një hapësirë të ndërtuar përmes angazhimit kolektiv;
  • një institucion arsimor dhe edukativ me mision ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare;
  • një hapësirë kulturore ku kultivohet identiteti kombëtar në mjedis të huaj;
  • një vend takimi që bashkon nxënësit, prindërit dhe mësuesit;
  • një bashkësi aktive që prezanton kulturën shqiptare në shoqërinë pritëse.

4. Rruga drejt krijimit të një pike shkollore

Rruga drejt krijimit të një pike shkollore nuk ofron shumë alternativa: ose përballesh me sfidat, ose heq dorë. Përvoja tregon se zgjedhja e rrugës së parë është e vetmja që çon drejt rezultateve konkrete. Fakt është se një numër i madh mësuesish kanë hequr dorë nga kjo punë për arsye të ndryshme, ndër të cilat dominon mungesa ose numri shumë i vogël i nxënësve për krijimin e klasës.

Kjo rrugë përfshin:

  • përballje të vazhdueshme me vështirësitë organizative;
  • angazhim maksimal dhe punë të pandërprerë;
  • bashkëpunim me bashkëveprimtarët dhe institucionet;
  • këmbëngulje dhe besim në misionin arsimor.

5. Faktorët pengues dhe rreziku i mbylljes së pikës shkollore

Përveç rezultateve pozitive, është e domosdoshme të përmenden edhe faktorët që pengojnë organizimin dhe funksionimin e një pike shkollore, si dhe ata që ndikojnë drejtpërdrejt në mbylljen e saj. Ndër këta faktorë përfshihen mungesa e komunikimit të rregullt dhe konstruktiv ndërmjet mësuesve dhe prindërve, mungesa e përpjekjeve serioze për krijimin e një ambienti të qëndrueshëm shkollor dhe mësimor, si dhe shfaqja e një negativiteti të tepruar në menaxhimin e situatave.

Këto dukuri shpesh manifestohen përmes fajësimit të vazhdueshëm të faktorëve të tjerë, si prindërit apo institucionet përkatëse, përmes sulmeve ndaj kolegëve dhe përpjekjeve për të krijuar një ambient të kontaminuar me tensione dhe mosbesim, gjë që dëmton drejtpërdrejt procesin arsimor dhe bashkëpunimin brenda komunitetit shkollor. Thënë shkurt është mungesa e vetëkritikës për rezultatet e dobëta personale në këtë fushë dhe pastaj arsyetimet banale duke sulmuar të tjerët, që jo vetëm që janë shumë të suksesshëm por edhe shembull në komunitet.

6. Analizë e bazuar në fakte reale dhe të dhëna konkrete e organizimit të Shkollës Shqipe në Zvicër (2019–2025)

Për të mbështetur me fakte reale dhe të dhëna konkrete,  analizën teorike mbi organizimin e pikave shkollore, në këtë kapitull paraqiten të dhëna reale të siguruara nga të dhënat bazë të Shkollës shqipe – LAPSH – Zvicër të cilat pasqyrojnë zhvillimin konkret të shkollave shqipe.

6.1 Hapja e pikave shkollore në Zvicër (2019–2025)

Gjatë periudhës 2013 – 2109 kishte një rënie drastike të pikave shkollore si dhe të vetë numrit të nxënësve të cilët vijonin mësimin në gjuhën amtare. Por, me përpjekjet e vazhdueshme të disa mësuesve, prindërve në bashkëpunim me institucionet tona diplomatike (veçmas me Ambasadën e R. së Shqipërisë, me atë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut) gjendja filloi të ndryshojë veçanërisht në periudhën kohore 2019–2025. Në mbarë territorin e Zvicrës janë hapur gjithsej 117 pika shkollore, çka përbën një zgjerim të ndjeshëm të rrjetit të mësimit të gjuhës shqipe.

Ky zgjerim tregon një strategji të qëndrueshme organizative dhe një reagim konkret ndaj nevojave të komunitetit shqiptar në diasporë.

6.2 Databaza e nxënësve të deklaruar dhe të regjistruar

Në vijim paraqiten të dhënat zyrtare mbi numrin e nxënësve të deklaruar dhe të regjistruar në shkollën shqipe në Zvicër në tetor 2024.

Tabela 2: Nxënësit e deklaruar

OrganizimiNumri i nxënësvePërqindja
LAPSH1,09360.15%
SHSH72439.85%
Gjithsej1,817100%

Tabela 3: Nxënësit e regjistruar

OrganizimiNumri i nxënësvePërqindja
LAPSH1,00358.65%
SHSH70741.35%
Gjithsej1,710100%

6.3 Analizë krahasuese dhe interpretim statistik

Krahasimi në mes të nxënësve të deklaruar dhe atyre të regjistruar tregon një diferencë prej 107 nxënësish, që përbën rreth 5.9% të totalit të deklaruar.

Kjo diferencë është relativisht e vogël dhe mund të shpjegohet me:

  • faktorë administrativë,
  • lëvizshmëri të familjeve,
  • ose regjistrim të pjesshëm gjatë vitit shkollor.

Në aspektin organizativ, këto të dhëna dëshmojnë një nivel të lartë formalizimi dhe funksionimi të shkollës shqipe në Zvicër.

6.4 Rritja e nxënësve dhe mësuesve (2019–2025)

Sipas të dhënave të LAPSH Zvicër dhe shkollës shqipe, gjatë periudhës 2019–2025 vërehet një rritje prej rreth 50% si e numrit të nxënësve, ashtu edhe e mësuesve.

Kjo rritje lidhet drejtpërdrejt me:

  • hapjen e 117 pikave të reja shkollore,
  • zgjerimin territorial të mësimit,
  • rritjen e besimit të prindërve,
  • konsolidimin institucional të organizimit arsimor.

Nga pikëpamja pedagogjike dhe organizative, kjo rritje dëshmon se modeli i ndjekur për organizimin e pikave shkollore është efektiv, funksional dhe i qëndrueshëm në kohë.

Ajo që është tepër mbresëlënëse dhe dëshmi e punës dhe përkushtimit  është tabela e mësuesve në bazë të pikave shkollore (klasave) ku japin mësim dhe numrit të nxënësve, e cila tabelë figuron nga mësues me 3-4 nxënës dhe deri tek ai, që ka 169 nxënës dhe që punon në nëntë pika shkollore. Sipas rregullores së “Shkollës Shqipe – LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër, secili mësues ka të drejtë në mënyrë të pavarur të hap pikë shkollore nëse arrin me forcat e veta, apo në bashkëpunim me faktorët tjerë të grumbullojë 12 nxënës e më tepër dhe ta krijojë klasën për mësimin në gjuhën shqipe. 

Përfundim

Organizimi i një pike shkollore në Zvicër nuk është një proces i rastësishëm, por një veprimtari e planifikuar dhe e mbështetur në punë të vazhdueshme. Analiza teorike, e kombinuar me të dhënat reale nga Zvicra, dëshmon se përmes përkushtimit, bashkëpunimit dhe organizimit institucional është e mundur të ndërtohet dhe të zhvillohet një rrjet i qëndrueshëm i shkollave shqipe.

Hapja e 117 pikave shkollore dhe rritja prej rreth 50% e numrit të nxënësve dhe mësuesve janë dëshmi konkrete se shkolla shqipe në diasporë është jo vetëm e nevojshme, por edhe e suksesshme kur mbështetet në vizion dhe punë të përbashkët. Çdo pikë shkollore e qëndrueshme mbetet dëshmi e gjallë se arsimi shqip mund të lulëzojë edhe jashtë kufijve të atdheut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *