
Shkruan: Dr. Ermira Ymeraj (Shqipëri)
Msc. Aurela Konduri (Greqi)
Hyrje
Studimi trajton sfidën e ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë si një çështje kyçe për identitetin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve jashtë atdheut. Ndërkulturalizmi shihet si një proces bashkëjetese që integron kulturën e vendit pritës pa humbur identitetin origjinal, por kjo kornizë teorike nuk mjafton për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, të cilët kanë një rol shumëdimensional si edukatorë, ndërmjetës kulturorë dhe mentorë të identitetit. Përmes metodave të ndryshme didaktike dhe teknologjisë, ata mundësojnë transmetimin ndërbreznor të gjuhës dhe kulturës[1].

Studimi, përmes pyetësorëve për prindër, nxënës dhe mësues synon të ndihmojë për të kuptuar dinamikat e mësimdhënies, modelet e ruajtjes së gjuhës në komunitetet emigrante dhe praktikat mësimore, duke përdorur analiza statistikore krahasuese. Kjo na mundësoi një vështrim të plotë dhe të thelluar mbi konceptet: dygjuhësi dhe ndërkulturalizëm[2] në diasporë, sfidat dhe motivimet që lidhen me përfshirjen në mësimin plotësues të gjuhës amtare.
Ndërkulturalizmi
Ndërkulturalizmi për mësuesit si koncept, është një qasje arsimore dhe shoqërore që promovon bashkëjetesën, dialogun, respektin dhe mësimin e ndërsjellë ndërmejt kulturave të ndryshme.
Ndërkulturalizmi për prindërit nënkupton që fëmija i tyre mëson të bashkëpunojë, të respektojë dhe të kuptojë fëmijët bartës të kulturave të ndyshme, të zhvillojë aftësi sociale, mirëkuptim dhe të jetë i përgatitur për të jetuar në një shoqëri të larmishme.
Ndërkulturalizmi për nxënësit nënkupton që ata, së bashku me shokët e tyre nga vende të ndryshme, mësojnë, luajnë, bashkëpunojnë, duke ndarë zakonet, gjuhët, lojërat e idetë e tyre.
Vlen të theksojmë se ndërkulturalizmit nuk është vetëm bashkëjetesë, por bashkëpunim aktiv dhe ndërtim komuniteti gjithëpërfshirës[3], ku çdo individ ndjehet i pranuar dhe i vlerësuar. Ndaj u pyetën mësues, nxënës dhe prindër se si e perceptojnë këtë koncept, strategjitë më efektive, dhe përshtatshmërinë e materialeve didaktike me nevojat aktuale për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin gjuhësor të nxënësve shqiptarë në diasporë përmes rolit të mësuesit. Për këtë u përdorën tre pyetësorë të veçantë, të shpërndarë elektronikisht përmes Google Forms gjatë periudhës maj-korrik, duke mundësuar një mbledhje të shpejtë dhe të organizuar të të dhënave. Në studim morën pjesë 68 mësues, 135 prindër dhe 83 nxënës nga komunitete të ndryshme shqiptare në vende si Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Kanada, Austri, Angli dhe Suedi, duke siguruar një përfaqësim të gjerë gjeografik dhe kulturor për të kuptuar më mirë sfidat dhe nevojat në mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
Gjetjet kryesore përmes pyetësorëve
Analiza e përgjigjeve të pyetësorëve është thelbësore për të kuptuar më konkretisht dinamikat e organizimit të mësimdhënies në kontekste të ndryshme kulturore dhe shoqërore. Ajo mundëson identifikimin e problematikave të përbashkëta dhe të veçanta që lidhen me ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar, përkushtimin e mësuesve, sfidat që hasin nxënësit dhe perceptimet e prindërve. Për më tepër, rezultatet e analizës kontribuojnë në hartimin e politikave dhe strategjive të përshtatshme për të mbështetur mësuesit dhe komunitetet shqiptare në diasporë, duke promovuar mësimdhënien ndërkulturore dhe ruajtjen e gjuhës amtare përmes mësuesve.

Nga pyetësori i mësuesve rezulton se:
Motivimi që i shtyn mësuesit e diasporës t’u mësojnë gjuhën shqipe fëmijëve në diasporë: 97.1% e mësuesve e konsiderojnë mësimdhënien e gjuhës shqipe një mision për ruajtjen e identitetit kombëtar. 48.5% janë të motivuar nga pasioni personal, 16.2% nga kërkesat e prindërve dhe komunitetit, ndërsa 10% përmendin arsye financiare.
Sfidat me të cilat ndeshen mësuesit e diasporës: Mungesa e materialeve të përshtatura (35%), mungesa e motivimit të nxënësve (30%), mbështetje e pamjaftueshme nga prindërit (25%), përzierja e gjuhëve dhe grupmoshave (20%).
Nevojat e tyre drejtohen drejt: Trajnimeve për metodologji e teknika të mësimdhënies bashkëkohore (70%), mbështetje teknike për teknologjinë (55%), mbështetje financiare (50%)
(Shkrimi vijon në numrin e ardhshëm…..)
[1] Qendra e Botimeve për Diasporën, Ministria e Arsimit dhe Sportit (2022), Botimi “Shqipja në Diasporë” – për kurrikulën, strategjitë dhe rolin e mësuesit në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit në diasporë. (chrome-extension://efaidnbmnnnibpcajpcglclefindmkaj/https://qbd.gov.al/wp-content/uploads/2023/03/REVISTA-SHQIPJA-NE-DIASPORE-2022.pdf).
[2] https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2019/11/ND%C3%8BRHYRJET-P%C3%8BR-SJELLJET-POZITIVE-.pdf
[3] https://pjp-eu.coe.int/en/web/inclusiveeducation/images/tool%20to%20upgrade%20teacher%20education%20practices_albanian.pdf