Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Një urë gjuhësore mes brezave në Firmozë Firmoza pret nxënësit shqiptarë nga Zvicra

Në një atmosferë e mbushur me emocione, krenari dhe ndjenjë përkatësie, qyteza e vogël arbëreshe Firmoza më, datën 30 maj 2025 u bë mikpritëse e një ngjarjeje të veçantë kulturore dhe edukative. Atje u pritën e një grup nxënësish dhe mësuesish shqiptarë nga Zvicra, pjesë e projektit didaktik “Mos harromi gluhën”. Kjo nismë e vyer ka për qëllim prezantimin e përpjekjeve shqiptare në Zvicër për ta ruajtur gjuhën dhe kulturën kombëtare dhe marrjen e një modeli arbëresh për ruajtjen e gjuhës amtare më se pesë shekuj, si dhe me qëllimin më fisnik që të forcojë lidhjet mes brezave të rinj të diasporës shqiptare dhe trashëgimisë së tyre gjuhësore e kulturore.
Firmoza – një mozaik i gjallë kulturash dhe kujtese
Firmoza, një prej qytezave arbëreshe të Italisë Jugore, është më shumë se një vendbanim – është një kujtesë e gjallë e një historie shekullore, një vend ku arbërishtja shqipton gjallërisht tingujt e fjalët në rrugë, në këngë, në lutje dhe në jetën e përditshme. Në këtë hapësirë ku koha duket se ka ruajtur gjurmët e një identiteti të rrallë, fëmijët shqiptarë nga Zvicra u pritën me përqafime të sinqerta, duartrokitje dhe buzëqeshje nga bashkëmoshatarët e tyre arbëreshë, të veshur me kostume tradicionale, të përgatitur me përkushtim për këtë ditë të paharrueshme.
Mirëseardhje me këngë dhe fjalë zemre
Grupi nga Zvicra, i përbërë nga nxënësit e “Shkollës Shqipe – Zvicër”, klasa e mësuesit Vaxhid Sejdiut, shoqëruar edhe nga mësueset Qefsere Sejdiu dhe Minire Azemi, prindërit e tyre dhe veprimtari i palodhur i çështjes arbëreshe Rexhep Rifati, u mirëpritën nga mësuesja Teresa Laffusa – përfaqësuese e shkollës në Firmozë. Ceremonia nisi me këngën “O e bukura More”, kënduar nga fëmijët vendas – një melod që për arbëreshët mbart mallin për vendlindjen dhe për shqiptarët e diasporës bëhet një urë për t’u lidhur me rrënjët e tyre.
Në emër të bashkisë së Firmozës, delegacionit nga Zvicra iu drejtua këshilltari komunal Antonio Di Turi, i cili theksoi rëndësinë e këtij takimi për ndërtimin e një dialogu të qëndrueshëm kulturor në mes katundeve arbëreshe dhe mërgatës shqiptare në Zvicër.. “Kur të rinjtë tanë takohen, nuk shfaqin vetëm një të kaluar të përbashkët – ata ndërtojnë një të ardhme të përbashkët gjuhësore dhe kulturore,” u shpreh ai.
Një udhëtim në kohë dhe kulturë
Në vijim të vizitës, drejtuesi i Shoqatës Kulturore “Shkëmbi”, z. Nicola Mele, u bë udhërrëfyesi i delegacionit, duke i çuar vizitorët përmes rrugicave të gurta të Firmozës, ku secili gur mbart një histori. Ai ndau rrëfime për arkitekturën e vjetër, për ndikimin bizantin në ritin fetar të komunitetit dhe për mozaikët e kishës lokale, një pasuri artistike e punuar nga mjeshtri Capparelli, e vlerësuar si një nga më të bukurat në Italinë e Jugut.
Takim gjaku, gjuhe dhe zemre
Takimi nuk ishte thjesht një aktivitet shkollor apo turistik – për shumë banorë arbëreshë ishte si një ritakim me pjesëtarë të largët të familjes. Prania e fëmijëve që flasin shqip në një dialekt tjetër, por me po atë dashuri, i emocionoi banorët e moshës së tretë që panë te këta fëmijë vazhdimësinë e një kulture që po përpiqen ta mbajnë gjallë. Atmosfera ishte përplot ndjenja të përbashkëta: mall për vendin e largët, gëzim për ruajtjen e gjuhës dhe shpresë për të ardhmen.

Dhjetëra urata, një qëllim i përbashkët
Në përfundim të vizitës, fëmijët nga diaspora u befasuan me dhurata simbolike: libra me poezi të autorëve arbëreshë dhe produkte të kuzhinës vendase – një gjest i thjeshtë por plot domethënie, që mishëron mikpritjen, kulturën dhe vlerat që i bashkojnë shqiptarët kudo që ndodhen.
Ky takim mbetet dëshmi e fuqishme e asaj se gjuha amtare është më shumë sesa një mjet komunikimi – ajo është një urë që lidh brez pas brezi, vend pas vendi, zemër pas zemre. Pikërisht në kohën kur globalizimi tenton të zhvesh identitetet nga thelbi i tyre, projekte si “Mos harromi gluhën” dëshmojnë se lidhja me rrënjët nuk është vetëm e mundur, por edhe jetike për ruajtjen e një trashëgimie të përbashkët.
Kështu, në zemrën e Kalabrisë, një takim i thjeshtë mes nxënësish shqiptarë dhe arbëreshë u kthye në një festë gjuhësore dhe kulturore, që la gjurmë të thella në mendjet dhe zemrat e të gjithëve – një urë që nuk e lë gjuhën të harrohet, por e mban të gjallë, me dashuri dhe përkushtim.