Intervistoi: Miradije Berisha
Në këtë intervistë kemi kënaqësinë të sjellim rrëfimin e një figure të njohur të arsimit shqip në diasporë – mësuesit Ismet Sinani. Prej shumë vitesh, ai ka punuar dhe vazhdon të punojë me përkushtim me nxënësit shqiptarë në qytetin Linz të Austrisë, duke dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e gjuhës amtare. Përveç angazhimit të tij në klasë, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në formimin e Shoqatës të Mësuesve Shqiptarë „Naim Frashëri“ ne Austri, i cili gjatë një mandati ka qenë edhe kryetar i kësaj shoqate.
Kjo intervistë është një pasqyrim i përpjekjeve, përvojave dhe sfidave të tij në rrugën e dijes dhe përhapjes së kulturës shqiptare ndër brezat e rinj në mërgatë.
Z. Ismet Sinani mund të na tregoni për rrugëtimin tuaj si mësues?

Dëshira ime për të ndjekur mësimet në fushën e mësuesisë ka qenë e hershme, sidomos në fushën e letërsisë dhe të gjuhës shqipe. Fillimisht kam punuar për afër dhjetë vite në Kosovë dhe pas largimit nga Kosova kam vazhduar profesionin e mësuesisë në Linz të Austrisë nga shtatori i vitit 1993, të punoj me nxënësit e mërgatës shqiptare për 32 vite rresht, gjithsej, në arsim, në shërbim të shkollës shqipe i bëra 42 vite dhe ende me këtë mision vazhdoj të punoj.
Z. Sinani mund të na flisni për historikun e Shkollës Shqipe dhe si e filluat punën si mësues në Austri?
Derisa u krijuan rrethanat të jem në mërgatë, në ditët e para të qëndrimit tim në vendin e ri, kontaktova me një grup atdhetarësh shqiptarë, me të cilët u organizuam dhe vendosëm që të hapet sa më parë shkolla shqipe për fëmijët shqiptarë edhe në Linz të Austrisë:
Pasi që atëherë Kosova deklarativisht kishte shpallur mëvetësinë e saj, po që në fakt akoma nuk njihej zyrtarisht nga shtetet tjera, na u refuzua kërkesa që mësimi i gjuhës shqipe të zyrtarizohet dhe të fillojë në nivel të shtetit austriak.
Austria, përkatësisht Landi i Oberösterreich (OÖ – Austria e Epërme), Ministria e Arsimit me qendër në Linz na e njohu të drejtën zyrtarisht të funksionimit të Shkollës Shqipe mësim plotësues në Austri. Në territorin Oberösterreich (OÖ) unë fillova më 09 shtator 1993, këtu pata fatin të jem njëri ndër mësuesit e parë të gjuhës shqipe.
Z. Sinani si ka qenë përvoja juaj e parë me nxënësit shqiptarë në diasporë dhe me çfarë ndjesish u përballët?
Natyrisht që dëshira dhe vullneti për të punuar me nxënësit shqiptarë në mërgatë ishte shumë i madh, madje mezi pritja që të përballesha dhe të shihja fytyrat e nxënësve. Kuptohet se tani qasja me nxënës në mërgatë filloi të zhvillohet në rrethana e prioritete tjera nga ato që ishim mësuar dhe kishim punuar në atdhe. Pra, dallimi ishte i madh, sepse, tash, nga klasë homogjene , punohej me klasë heterogjene, që në një mënyrë a tjetër duhej të aplikoheshin metoda të tjera metodike dhe pedagogjike. Por, t’u them të drejtën ndihesh mirë kur puna dhe rezultatet të shpërblehen me sukses, natyrisht se të sjellin emocione dhe ndjesi pozitive.
Z. Sinani gjatë këtyre 32 viteve, cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që keni hasur në mësimdhënie?
Në fakt mësimi i gjuhës shqipe si mësim plotësues në Austri zhvillohet në kushte mjaft të volitshme, sepse shteti austriak na ka afruar të gjitha mundësitë dhe kushtet dhe paraprake që ai të administrohet dhe të mirëmbahet në procedura sa më adekuate profesionale dhe pedagogjike. Por, kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi pasur sfida përgjatë zhvillimit të procesit mësimor sikur janë: Zhvillimi i procesit mësimor vetëm të pasditeve, mosha e nxënësve, me thekës të veçantë për nxënësit e klasave të para e të dyta të ciklit të ultë (largësia, transporti, përcjellja deri te pika e takimit) etj. si dhe kriteret për formimin e grupeve të nxënësve, përballja me bindjet e prindërve shqiptarë për dërgimin e fëmijëve në shkollën shqipe dhe vështirësitë rreth përpilimit të orarit mësimor (procesi mësimor zhvillohet gjatë pesë ditëve të javës).
Me gjithë sfidat që na janë paraqitur rrugës, fal bashkëpunimit me autoritetet vendase, ne kemi arritur jo vetëm t’i tejkalojmë këto sfida, por edhe të stabilizohemi dhe shënojmë rezultate dhe suksese shumë të mira.
Z. Sinani a keni vënë re ndryshime në qasjen e nxënësve ndaj gjuhës shqipe dhe nëse po, cilat janë ato?
Në përgjithësi kemi punuar dhe punojmë me grupe dhe nivele të ndryshmet, ku ka pasur grupe të cilat kanë qenë më të përgatitura në aspektin teorik dhe atë praktik. Pra, dallime ka pasur dhe vazhdon të ketë, të cilat vërehen më shumë në leximin e teksteve, te kuptueshmëria e teksteve, sikur edhe në shkrim e drejtshkrim.
Z. Sinani në ç ‘mënyrë përpiqeni t’i motivoni fëmijët shqiptarë që të mësojnë dhe ta duan gjuhën e tyre amtare?
Ka shumë variante, por, sipas mendimit tim, tekstet mësimore duhet të jenë të thjeshta, konkrete, të kuptueshme dhe me shembuj e tema sa më shumë nga atdheu. Ata, pra nxënësit tanë, duhet të frymëzohen dhe të motivohen jo vetëm ta duan gjuhën amtare, por edhe ta duan atdheun njëkohësisht.
Për aq sa janë të vlefshme njësitë mësimore, në trajtimin dhe shtjellimin e tyre, aq është i rëndësishëm interpretuesi i lëndës, profesionalizmi, afërsia dhe metodat metodiko -pedagogjike
që përdoren nga mësimdhënësi.
Z. Sinani sa e vështirë është për një fëmijë i lindur jashtë trojeve shqiptare, në ruajtjen e identitet kombëtar në diasporë?
Për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të identitetit kombëtar në diasporë duhet bashkërisht të unifikohen shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, sidomos komunikimi i vazhdueshëm në mjediset familjare, ndjekja e rregullt e procesit mësimor, komunikimi i rregullt në trekëndëshin mësues-nxënës-prindër, kontaktet e shpeshta me atdheun dhe aktivitetet e lira kulturore.
Vetëm kështu duke i ndërlidhur dhe duke i koordinuar fuqishëm dhe në mënyrë të pandalshme
këta faktorë mund të konkludojmë se kemi arritur të realizojmë rezultatet dhe të suksesit në misionin tonë
Z. Sinani cili është mendimi juaj për rolin e gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë?
Ruajtja identitetit kombëtar në diasporë, nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe një bartëse e historisë, kulturës, dhe traditave shqiptare. Për shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut, ruajtja e gjuhës është një mënyrë për të ruajtur lidhjen shpirtërore me origjinën dhe për të transmetuar këtë trashëgimi brez pas brezi.
Për këtë arsye, mësimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk duhet parë si një zgjedhje, por si një domosdoshmëri për ruajtjen e identitetit kombëtar. Kjo kërkon përpjekje të organizuara nga familjet, shkollat shqipe në diasporë dhe institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës.
Një popull që s’e flet dhe nuk e shkruan gjuhën e vet, është i humbur!
Z. Sinani çfarë vlere ka shkolla shqipe për komunitetin shqiptar jashtë vendit, sipas jush?
Shkolla Shqipe në diasporë – Shtyllë e rëndësishme për ruajtjen e identitetit kombëtar. Shkolla Shqipe, si një institucion shoqëror, ka një vlerë të jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar në diasporë, për disa arsye themelore: në ruajtjen e gjuhës amtare, forcimin e identitetit kombëtar, në lidhjen shpirtërore dhe kulturore me atdheun, në zhvillimin personal dhe arsimor të brezave të rinj dhe në forcimin e unitetit të komunitetit shqiptar jashtë atdheut.
Aty ku ka arsimim të mirëfilltë dhe kulturë kombëtare, ruhen rrënjët e origjinës dhe trashëgimia jonë kulturore e kombëtare. Përmbledhtazi: Shkolla Shqipe nuk është vetëm një vend për të mësuar gjuhën, por një investim i çmuar në identitetin, bashkimin dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare
Z. Sinani si ka ndikuar përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie ndër vite dhe a e keni përfshirë atë në klasë?
Teknologjia në mësimdhënie natyrisht se luan një rol të rëndësishëm në konkretizimin dhe perfeksionimin e njësive mësimore qoftë në aspektin vizuale, qoftë në aspektin praktik. Por, për shkak të numrit shumë të kufizuar të orëve mësimore, kjo metodë mësimore ka gjetur më pak vend për përdorim.
Z. Sinani a bashkëpunoni me prindërit e nxënësve dhe sa është e rëndësishme mbështetja e familjes në mësimin e gjuhës shqipe?
Në mërgatë as që mund të mendohet për ndonjë sukses pa bashkëpunim me prindër, sidomos kur flitet për ndonjë shkollë se ajo është e suksesshme, mund të thuhet se aty ka bashkëpunim dhe koordinim shumë të mirë në mes të mësuesit dhe të prindërve. Pra, garancia afatgjate për një zhvillim normal dhe funksional të një shkolle janë bashkëpunimi i mirëfilltë mësues-prindër.
Z. Sinani cili është kujtimi më i bukur që mbani në këto tri dekada përvojë si mësues në diasporë, që do të dëshironit ta ndani me ne?
Ka shumë momente që ia vlejnë të tregohen, ju them të drejtën kurrë, për asnjë vit të vetëm, nuk e kam pritur me ankth se si do të fillojë viti tjetër pasues, do të ketë nxënës në numër të mjaftueshëm, apo jo. Ajo që më ka bë të ndihem mirë është kur prindërit, herë pas herë, vet interesohen që t’i sigurojnë nxënësit që shkolla shqipe të vazhdojë të ruaj funksionimin e saj.
Ndërsa ajo më e këndshmja është kur ish nxënësit me padurim presin t’i dërgojnë fëmijët e tyre, brezin e dytë, apo të tretë, të vazhdojnë të mësojnë në shkollën ku punoj. Dhe, kur prindërit t’ i sjellin vet fëmijët nga pika të ndryshme dhe të falënderohen për punën.
Z. Sinani çfarë do t’u këshilloni mësuesve të rinj që duan të japin mësim në shkollat shqipe jashtë vendit?

Nuk mjafton që të jesh vetëm profesionalisht i arsimuar, me nxënësit në mërgatë, duhet të jesh mësues i dashur, shumë i afërt me ta, të hysh në shpirtin e tyre, që ata të duan dhe të kuptojnë si prind, që nuk ulen pa të përshëndetur o me dorë, o me përqafim, kur e fillojnë orën me gaz dhe e përfundojnë duke qeshur. Mësuesit e rinj duhet të kuptojnë se puna me nxënësit në mërgatë është shumë e koklavitur dhe më e vështirë se ajo që punohet në atdhe.
Andaj puna e mësuesit në mërgatë të mos kuptohet vetëm si detyrë, por edhe si mision.