Atje ku buron jeta, në muzeum, përqasje e veçantë në gjuhën shqipe me kulturën angleze

Punimi nga Anila Kadija

Muzeumet pasuri jo vetëm botërore por edhe burim projektesh-vizitë në gjuhën shqipe.

Në muajin qershor 2025, shkolla shqipe Ardhmëria e zonës Westminster, ashtu sikurse në çdo muaj, pati një temë të veçantë për ta zhvilluar në gjuhën shqipe.
Kështu lindi ky projekt, me epiqendër Natural History Museum ( Museumi i Natyrës dhe i Historisë) në qendër të Londrës.
I ideuar dhe organizuar nga mësuese Anila Kadija.
I mbështetur nga mësuese Vlora Vojvoda.
Iu bashkua projektit edhe shkolla Ardhmëria e zonës Catford me mësueset Anita Toçi dhe Diti Gashi.
Të pranishëm mbi 50 pjesëmarrës, nxënës, prindër, mësues.
Një muzeum jo vetëm me famë botërore por edhe shumë i vizituar dhe i kërkuar me interes nga fëmijët.
Përse ky organizim:
Së pari, tema e projektit qaset në formë konkrete në këtë ambient.
Së dyti, të zhvillosh mësimin jashtë dyerve të klasës u jep nxënësve motive të lira dhe me variacion mësimdhënie.
Së treti, krijon një okazion të shkëlqyer bashkëpunimi prindër – shkollë.

Së katërti, aktivizon gërshetimin e anës vizive ( foto, video, skulptura, materiale, efekte speciale, teknologji imazhi) me anën teorike – leksikore.
Së pesti, inkurajon iniciativën për të marrë pjesë, me mendim të lirë dhe punë në grup, të shprehur në gjuhën amtare.
Së gjashti, jo gjithmonë këto muzeume janë të njohura nga të gjithë me prani, në këtë rast i ke krijuar mundësinë ta njohin nga afër.
Së shtati, ndjenja e krenarisë kombëtare shpaloset duke e demonstruar publikisht të folurin në shqip.
Së teti, muzeumi rrit koeficientin e fantazisë.
Së nënti, kjo mënyrë hap sipare entuziazmi, krijohen okazione surprize, bëhen edhe krahasime eksperiencash të kaluara, në muzeume të tjera me prindërit si në Angli ashtu edhe në Shqipëri.
Dhe e fundit, të ilustrosh në gjuhën shqipe të gjitha etapat e lindjes së jetës, nga shpërthimi madh, krijimi i sistemit planetar, epoka e dinosaurve, me larminë dhe madhështinë e botës së kafshëve, shpendëve etj.
Misteret ujore deri tek pemët dhe mineralet.
E gjithë kjo është sa mahnitëse po aq edhe edukuese!
Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë kërkon qasje të reja, kreative dhe shumëdimensionale që t’i lidhin fëmijët me gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre kombëtar. Një nga mënyrat më efektive për ta arritur këtë është integrimi vizitave në muzeve në procesin mësimor, duke i shndërruar ato jo vetëm në hapësira kulturore, por edhe në mjedise edukative që forcojnë bashkëpunimin mes shkollës, prindërve dhe komunitetit shqiptar.
Ky projekt i shkollës së gjuhës shqipe “Ardhmëria, në Westminster, Londër synon të shërbejë si një model i zbatueshëm për të gjitha shkollat shqipe në diasporë, duke treguar se mësimi mund të zhvillohet me metoda bashkëkohore që e kthejnë gjuhën shqipe në një përvojë të gjallë dhe të paharrueshme.
Në qendër të projektit qëndron ideja se muzetë përmbajnë vlera të çmuara historike, gjuhësore dhe kulturore, të cilat mund të përdoren si ura lidhëse për t’ua afruar fëmijëve origjinën e tyre. Gjatë vizitës në Departamentin e Arkeologjisë, nxënësit u mahnitën nga objektet me prejardhje shqiptare, ndër të cilat spikasin kristalet e Mitrovicës. Këto elemente u shndërruan në pikënisje për diskutime dhe detyra të pavarura në gjuhën shqipe, ku nxënësit punuan me materiale autentike dhe zhvilluan projekte që tërhoqën vëmendjen e vizitorëve të muzeut. Kjo qasje jo vetëm përforcon njohuritë gjuhësore, por njëkohësisht promovon publikisht kulturën shqiptare brenda një institucioni prestigjioz britanik.
Projekti vazhdoi në Muzeun e Natyrës dhe Historisë me temën “Atje ku buron jeta”, një udhëtim i pasur edukativ që nis me teoritë e Charles Darwin, vijon me botën e Sequoia-s gjigante dhe shtrihet më tej në elementë të tjerë të historisë natyrore dhe trashëgimisë botërore. E veçanta e këtij projekti qëndron në faktin se çdo shpjegim, diskutim dhe aktivitet u zhvillua në gjuhën shqipe, duke e kthyer vizitën në muze në një mjet të vlefshëm gjuhësor që ndërthur shkencën, historinë, gjeografinë dhe kulturën në një formë të thjeshtë, të kuptueshme dhe motivuese për nxënësit.

Përfshirja e prindërve në këtë proces krijon një urë të fortë bashkëpunimi mes shkollës dhe familjes, duke i bërë ata partnerë aktivë në edukimin gjuhësor të fëmijëve. Fëmijët u ndjenë të vlerësuar dhe krenarë për origjinën e tyre, ndërsa prindërit patën mundësinë të shohin nga afër përfitimet e metodave të reja pedagogjike.
Ky projekt dëshmon se mësimi i gjuhës shqipe në diasporë mund të bëhet modern, praktik dhe shumë tërheqës, mjafton të shfrytëzohen mundësitë që i ofron mjedisi përreth. Muzetë, galeritë, bibliotekat dhe institucionet kulturore mund të kthehen në partnerë të rëndësishëm të shkollave shqipe, duke krijuar aktivitete që i lidhin fëmijët me gjuhën në mënyrë natyrale. Ky model është mund të përshtatet për çdo shkollë shqipe, pavarësisht vendit ku ndodhet, dhe ofron një shembull konkret se si mund të ndërtohen projekte që ruajnë gjuhën dhe kulturën duke i përfshirë fëmijët në përvoja të gjalla dhe të kuptimshme.