Pyetjet efektive dhe mendimi kritik në një orë mësimi të hapur “dasmat shqiptare”

Punim i përgatitur nga: Anita Toçi
Mësuese e Shkollës Shqipe “Ardhmëria”- Londër”

HYRJE

Një përvojë e bukur nga shkolla jonë “Ardhmëria” në Londër, me temën “Dasmat Shqiptare”. Kjo temë u zhvillua në formën e një ore të hapur, ku nxënësit, prindërit dhe mësuesit u përfshinë për të mësuar gjuhën shqipe përmes traditës, pyetjeve efektive dhe bashkëbisedimit të hapur.

QËLLIMET E AKTIVITETIT

Qëllimi ishte zhvillimi i një mësimi që nxit të menduarit kritik dhe pjesëmarrjen aktive. Ne synuam që:

● Nxënësit të komunikonin lirshëm në gjuhën shqipe.
● Të përdornim pyetje të hapura për të nxitur reflektimin.
● Të forconim bashkëpunimin midis nxënësve dhe prindërve.
● Të mësohej kultura dhe trashëgimia shqiptare përmes dialogut.

PSE PYETJE EFEKTIVE?

Pyetjet efektive janë zemra e një ore të gjallë mësimore. Ato nuk kërkojnë vetëm përgjigje, por nxisin:

● të menduarin,
● analizën,
● arsyetimin dhe argumentimin. Shembuj të pyetjeve të përdorura:
● Çfarë simbolizon dasma shqiptare për familjen?
● Si ndryshojnë traditat nga veriu në jug?
● Si mund ta ruajmë këtë traditë në diasporë?
● Pse është e rëndësishme të flasim shqip në këto raste?

Përmes këtyre pyetjeve, nxënësit mësuan të mendojnë, të argumentojnë dhe të shprehin mendimin e tyre personal.

ORGANIZIMI I ORËS SË HAPUR

● Fëmijët përgatitën prezantime të shkurtra për dasmat në treva të ndryshme shqiptare.
● Në klasë u sollën kostume, këngë dhe simbole tradicionale.
● Ora u kthye në një “mini-festival” kulturor, ku çdo nxënës kishte një rol aktiv.
● Prindërit u përfshinë si bashkëpunëtorë, duke ndihmuar në përgatitje dhe diskutim.

METODAT E PËRDORURA

● Mësimi përmes lojës dhe roleve – nxënësit luanin personazhe të dasmës.
● Punë në grupe – përgatitja e pyetjeve, dialogëve dhe prezantimeve.
● Përdorimi i mjeteve vizuale – foto, video dhe muzikë.
● Reflektim dhe debat – nxënësit diskutonin dhe jepnin ide.

Këto metoda ndihmuan që çdo fëmijë të përfshihej në mënyrë aktive dhe të kuptonte më mirë kuptimin e traditës.

MENDIMI KRITIK NË PRAKTIKË

Përmes pyetjeve të hapura, nxënësit nuk mësuan vetëm fjalë të reja, por edhe si të mendojnë në mënyrë kritike. Ata:

● Krahasuan dasmat e dikurshme me ato të sotmet.
● Diskutuan mbi ndryshimet midis krahinave.
● Analizuan pse disa tradita po zhduken dhe si mund të ruhen.

Kjo qasje i ndihmoi të lidhnin mësimin me jetën reale dhe të kuptonin vlerën e ruajtjes së kulturës.

PËRFSHIRJA E PRINDËRVE

Prindërit morën pjesë aktive në këtë orë.

● Ata ndanë përvoja nga dasmat e tyre.
● Sollën foto, kostume dhe kujtime personale.

Në këtë mënyrë u krijua një bashkëbisedim i hapur midis brezave, ku gjuha dhe tradita u bënë ura lidhëse midis familjes dhe shkollës.

REZULTATET E ARRITURA

● Nxënësit u bënë më të sigurt në komunikimin në gjuhën shqipe.
● U zhvillua dëgjimi aktiv dhe shprehja e mendimit personal.
● U forcua lidhja mes prindërve, mësuesve dhe fëmijëve.
● Mësimi u kthye në një përvojë të gjallë, me emocione dhe kuptim.

GAZETA E SHKOLLËS

Në vazhdim, përmend me krenari edhe gazetën e shkollës shqipe “Ardhmëria Catford”, me titull “Fjalë nga Diaspora”, e realizuar nga mësueset: Anita Toçi, Antonela Myrselaj dhe Diti Gashi.

Kjo gazetë është një zë i bukur i punës sonë në diasporë dhe i dashurisë për gjuhën shqipe.

PËRFUNDIM

“Një orë e suksesshme nuk matet me sa flet mësuesi, por me sa flasin nxënësit.” Ky projekt tregoi se pyetjet efektive dhe mendimi kritik e kthejnë orën e mësimit në një hapësirë bashkëbisedimi, reflektimi dhe dashurie për dijen.