Rrugëtimi i klasave të gjuhës shqipe në diasporë: nga entuziazmi i fillimit te qëndrueshmëria dhe cilësia e mësimit

Punim i përgatitur nga: Mësuese Leonora Rajta (Vata)

Rrugëtimi i klasave të gjuhës shqipe në diasporë

Quhem Leonora Rajta, e lindur në Shkodër dhe rritur në Lezhë. Prej 20 vitesh jetoj në Eretria, Evia, Greqi. Kam katër vjet që jam emëruar mësuese e kursit “Dritë e Diturisë” nga Shoqata e Emigrantëve të Evias. Dua të ndaj sot historinë e klasës sime, metodikën dhe motivimin e nxënësve ndër vite.
Çdo klasë e re nis me entuziazëm, me gëzimin e fjalëve të para të fëmijëve, me emocionin e ringritjes së një hapësire të re mësimore. Por entuziazmi i fillimit nuk mjafton. Rrugëtimi kërkon shumë më tepër: qëndrueshmëri, vetëbesim, përpjekje, dashuri dhe vullnet.
Mësuesi bëhet gur themeli vetëm kur komuniteti i jep krahë. Sfida ka, por përballohen me vendosmëri. Sepse çdo klasë e gjuhës shqipe në diasporë është një urë e fortë lidhjeje mes fëmijëve dhe rrënjëve të tyre, me atdheun dhe kulturën që mban gjallë shpirtin shqiptar.
Përvoja ime në kursin “Dritë e Diturisë” ka treguar se çdo fillim i bukur qëndrohet me punë të përditshme, me bashkëpunim të sinqertë, me prindër, me kolegë e me institucionet përkrahëse. Mësuesi në diasporë nuk është vetëm mësimdhënës: ai është udhërrëfyes, ruajtës i identitetit, mbartës i gjuhës dhe i ndjenjës së përkatësisë.
Krijimi i një mjedisi të ngrohtë, motivues e dashamirës është thelbësor. Çdo fëmijë duhet të ndihet pjesë e një familjeje të madhe shqiptare.
Në klasën tonë, çdo orë mësimi synon të jetë e gjallë, e kuptueshme, praktike dhe e përjetueshme. Mësimi i shkronjave, fjalëve dhe teksteve ndërthuret me lojëra, shabllone praktikë, punime artistike dhe aktivitete kulturore.
Festa si 28–29 Nëntori, fundviti, 1 Qershori apo Dita e Shkronjave shndërrohen në përvoja të gjalla kulturore, ku gjuha nuk është më vetëm lëndë mësimore, por thesar i ndjerë që fëmijët e përqafojnë me zemër.
Nga kjo lind cilësia e mësimit: kur përveç dijes ndërtojmë lidhje identiteti, dashuri për atdheun dhe respekt për rrënjët.

Metodat dhe qasjet didaktike – mësimi me zemër dhe kreativitet
Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë kërkon përshtatje dhe fleksibilitet. Fëmijët tanë janë dygjuhësh, rriten në ritme të tjera dhe kanë nevojë për metoda që bashkojnë lojën, dygjuhësinë, teknologjinë dhe kulturën.
Në klasë përdorim:lojëra gjuhësore krahasime me greqishten dhe anglishten dialogë mes nxënësve këngë, vizatime dhe aktivitete praktike video e filma për fëmijë si “Shoku ynë Tili”, “Beni ecën vetë”
këngë të traditës shqiptare si “Xhamadani vija-vija”, “Mora fjalë” platforma digjitale dhe materiale interaktive
Të gjitha këto e bëjnë mësimin më tërheqës, më të gjallë dhe më pranë botës së fëmijëve. Orët tona nuk janë thjesht proces mësimor, por përvoja kulturore që i lidhin fëmijët me identitetin shqiptar.
Edhe orët e lira në natyrë, ku fëmijët shprehen me lirshmëri dhe komunikojnë mes tyre, janë pjesë e formimit.

Modeli i bashkëpunimit mes prindërve, mësuesve dhe institucioneve
Asnjë klasë nuk qëndron pa bashkëpunim. Jam mirënjohëse Shoqatës së Emigrantëve të Evias, znj. Shpresa Biba, e cila bëri të mundur krijimin e klasës dhe sigurimin e ambjentit ku prej katër vitesh zhvillojmë mësimin.
Gjithashtu vlerësoj bashkëpunimin e mrekullueshëm me institucionet greke, që na kanë lehtësuar çdo proces dhe kanë siguruar kushte të mira mësimi.
Një falënderim i veçantë për Ambasadën e Shqipërisë në Athinë, znj. Luela Hajdaraga, për mbështetjen e vazhdueshme.
Falënderoj Qendrën e Botimeve për Diasporën për librat e dhuruar dhe ALBAS, znj. Mimoza Hysenaj, për ndihmën ndaj mësuesve të diasporës.
Në mënyrë të veçantë, vlerësoj trajnimet, seminarët, ligjëratat dhe metodikat e znj. Aurela Konduri, të cilat kanë qenë të një niveli të lartë pedagogjik dhe me ndikim real në punën tonë.
Por dua të theksoj se prindërit janë mbështetja më e madhe. Ata nxisin fëmijët ta flasin shqipen në shtëpi, t’i japin rëndësi mësimit dhe t’i përfshijnë në aktivitete. Përfshirja e tyre forcon lidhjen mes klasës dhe komunitetit, duke krijuar një model të qëndrueshëm të arsimit shqip në diasporë.

Përfundim – një rrugëtim që vazhdon me dashuri për gjuhën mëmë

Rrugëtimi i klasave të gjuhës shqipe në diasporë është udhëtim me zemër: me dashuri, me përkushtim dhe me përgjegjësi. Sot, në vitin e katërt, klasa jonë është kthyer në një familje të vogël shqiptare.
Çdo mësues në diasporë është si një pishtar që mban të ndezur kulturën dhe gjuhën, duke i dhënë brezave të rinj dritë dhe shpresë. Çdo orë mësimi është një hap drejt ruajtjes së identitetit tonë kombëtar.
Qëndrueshmëria e klasave nuk matet me numrin e nxënësve, por me dritën që ndezim në zemrat e tyre – dritën e gjuhës, të dashurisë për atdheun dhe për rrënjët.
Më gëzon fakti që fëmijët e mi jo vetëm mësojnë, por edhe e jetojnë gjuhën: në këngë, në lojë, në bisedë, në zemër. Ky është suksesi më i madh.
“Kjo përvojë përfaqëson rrugëtimin e dashurisë për gjuhën shqipe në diasporë – nga entuziazmi i fillimit, te përkushtimi i përditshëm për qëndrueshmëri dhe cilësi në mësim.”
Ju falënderoj për mundësinë dhe ju uroj suksese në seminare e bashkëpunime të tjera të vlefshme.
Së bashku, gjithmonë të suksesshëm!