Intervistën e zhvilloi: Vaxhid Sejdiu

Dr. Adriana Fishta-Bejko është pedagoge dhe autore shqiptare me një karrierë të shquar në fushën e arsimit dhe gjuhësisë. Ajo lindi dhe u rrit në Shkodër, ku përfundoi arsimin 8-vjeçar. Në vitin 1968, filloi studimet në Shkollën e Gjuhëve të Huaja në Tiranë dhe më pas në Fakultetin e Filologjisë, dega Anglisht, duke u diplomuar me medalje ari.
Pas përfundimit të studimeve, Dr. Fishta-Bejko punoi si mësuese e gjuhës angleze në Peshkopi dhe më pas në shkollat “Çajupi” dhe “Qemal Stafa” në Tiranë, ku u dallua për futjen e metodave të reja didaktike në mësimdhënie dhe në ndërtimin dhe përdorimin e të parit laborator fonetik për mësimin e gjuhëve të huaja në shkollat publike.
Në vitin 1994, asaj i akordohet një bursë në Kaliforni për studime pasuniversitare, të cilën i përfundoi në vitin 1997. Më pas, në vitin 1999, u zhvendos në Kanada, ku në vitin 2007 përfundoi studimet doktorale në Universitetin e Calgary-t, duke u fokusuar në zhvillimin e programeve për anglishten akademike dhe duke u përqendruar në hulumtimet në neuroplasticitetin dhe mësimdhënien me bazë trurin.
Dr. Fishta-Bejko ka shërbyer si profesoreshë e asociuar e edukimit në disa universitete në USA dhe Kanada – Universiteti Point Loma në Kaliforni, Universiteti Trinity Western në Vankuver, Ambrose University në Kanada, ku ka dhënë mësim në kurse të mësimdhënies në fakultet e mësuesisë të bazuara në kërkime mbi trurin dhe mësimdhënien e qëllimshme. Ajo ka qenë drejtoreshë e Instituteve të mësimit të gjuhëve të huaja, shefe katedre për diversitetin, dhe pjesë e grupit të reformës në arsim në Kinë. Ajo është autore e serisë së librave “Fun English”, të cilët synojnë të mbështesin studentët dhe mësuesit e anglishtes si gjuhë e dytë.
Dr. Fishta-Bejko në vazhdimësi ka qenë dhe është e lidhur me Atdheun. Ajo ishte sekretare e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) si dhe nismëtare e formimit të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë. Dr. Fishta- Bejko është laureate e çmimit “Who is Who” në SHBA, “Mësuesja e Vitit” në Kanada, dhe çmimit “Lifetime Achievement” në Kanada.
Vaxhid Sejdiu: E nderuara Dr. Fishta-Bejko kam nderin që të zhvillojmë me Ju, një intervistë për gazetën online kkad.al, rreth punës dhe angazhimin tuaj si pedagoge në fushën e mësimdhënies, të përpjekjeve tuaja rreth ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe si dhe kontributin tuaj të çmuar në ruajtjen e identitetit kombëtar në Diasporë.
Për fillim, a mund të na tregoni çfarë ju frymëzoi të zgjidhnit mësimdhënien si fushë të karrierës suaj akademike?
Brezi ynë ka patur fatin e madh që të edukohet në shkollat shqiptare me mësues të nderuar, të cilët na edukuan në radhë të parë për të qenë qytetarë të edukuar dhe atdhedashës dhe së dyti, mësuesit tanë e konsideronin profesionin tonë të nderuar si “misionin” e tyre në jetë. Ata dhe edukata që na është dhënë nga prindërit për të dashuruar dijen dhe librin kanë qenë frymëzimi në zgjedhjen e profesionit fisnik te mësuesit.
Ju keni dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e mësimdhënies në degën e anglishtes. Si ka evoluar roli i gjuhës shqipe në institucionet akademike gjatë viteve të fundit?
Është domosdoshmëri për një mësues të mirë të gjuhës së huaj që të njoh mirë së pari gjuhën shqipe. Një dije e thellë e gramatikës dhe leksikut të gjuhës tonë të pasur dhe të shenjtë, ndihmon në njohjen e gjuhës së huaj. Fatkeqësisht, gjate viteve të fundit shume institucione, në mënyrë të veçantë media, po e dëmtojnë shumë gjuhën shqipe. Këtu veçojmë vendimet e ministrisë së arsimit për ofrimin e gjuhës shqipe në programin e shkollave si dhe një tendencë shumë negative në përdorimin e atyre që profesor Çabej i quante “barbarizma”, huazimet nga gjuhët e tjera. Gjithashtu, ka një tendencë të shëmtuar që disa familje “të kamura” kërkojnë që fëmijët e tyre të flasin vetëm anglisht që në moshë të vogël dhe të mos mësojnë gjuhën shqipe. Ky trend i shëmtuar konsiderohet në disa qarqe si status elitar.
Znj. Dr. Fishta-Bejko, a mund të na krahasoni punën dhe angazhimin e studentëve shqiptarë dje dhe sot?
Natyrisht në kohë të ndryshme ka qëndrime të ndryshme ndaj përvetësimit të dijes. Zhvillimi i teknologjisë, në veçanti i inteligjencës artificiale (chatgtp, për shembull) po sjell një ulje të angazhimit të studentëve ndaj dijes. Jam e mendimit që largimi nga leximi i librave tradicional apo në forme digjitale po shkakton një problem ndërkombëtar, por ky nuk është vetëm faji i studentëve, pasi nuk mund te vishet “xhaketa e vjetër” në kohërat moderne. Në epokën e kibernetikës, është koha që edhe mësuesit të ndryshojnë qasjet e tyre në mësimdhënie duke mësuar të përdorin teknologjinë në funksion të mësimdhënës dhe mësimnxënies.
Znj. Dr. Fishta-Bejko, a mund të na krahasoni punën dhe angazhimin e mësimdhënësve shqiptarë dje dhe sot?
Me keqardhje vë re se niveli i përkushtimit të mësuesve sot është më i pakët se brezat e mëparshëm. Por, njëkohësisht mendoj se edhe detyra e mësuesit është më e vështirë sot. E them këtë, sepse deri nga fundi i shekullit të XX-të shoqëria në përgjithësi kishte një konsideratë dhe respekt të madh për mësuesin, kurse sot prindërit, media, shoqëria në përgjithësi kërkojnë të fajësojnë mësuesin për çdo gjë. Në qëndrimin tim gjashtëmujor si drejtuese e projektit për trajnimin në fakultetet e mësuesisë në Shqipëri, si pjese e një projekti te fondacionit amerikano-shqiptar për zhvillim (aadf), unë pata privilegjin të takoj pedagoge dhe ekspert të mrekullueshëm të fushës së mësuesisë, të cilët kanë shumë aftësi dhe dëshirë të sjellin ndryshime në sistemin tonë arsimor.
Cili ka qenë ndikimi i përvojës suaj me mësuesit të diasporës në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe jashtë kufijve të Shqipërisë?
Siç mund të më mbështesin edhe shumë kolegë që japin mësim në diasporë, ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë nuk është një detyrë e lehtë. Në përgjithësi, unë kam takuar shume mësues patriot dhe të përkushtuar që për vite me radhë kanë punuar si vullnetarë, ne ato që i quajmë “shkolla” shqipe, por që në fakt janë vetëm kurse për mësimin e gjuhës dhe kulturës sonë. Meraku ynë për ta vendosur mësimdhënien në diasporë mbi baza shkencore u prit shume mirë si nga Ministria e Arsimit në Shqipëri, ashtu edhe ajo e Kosovës. Me gjithë përmirësimet e kohëve të fundit (mësuesit e Greqisë), problemi vazhdon të mbetet pagesa e mësuesve nga institucionet e vendeve tona, siç kanë firmosur shtatë marrëveshje në takimet e dy qeverive tona, për krijimin e një buxheti të përbashkët për financimin e mësimdhënies në diasporë.
Përballë sfidave globale, çfarë rëndësie ka për ju promovimi dhe ruajtja e gjuhës shqipe si pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare?
Në epokën e sfidave globale dhe të lëvizjeve të shumta, ekziston frika e “shuarjes” së gjuhës shqipe në brezin e dytë apo të tretë, të mërgimtarëve. Ky përbën një rrezik të madh pasi rrezikon asimilimin e plotë të shqiptarëve në vendet ku mërgojnë. Patjetër që emigrantët duhet të integrohen në jetën e vendeve të reja ku jetojnë, por duhet të mos asimilohen dhe të mos harrojnë vendin dhe gjuhën e tyre.
Si e shihni rolin e teknologjisë dhe platformave digjitale në mësimdhënien dhe promovimin e gjuhës shqipe?
Deri tani, institucionet drejtuese të arsimit në Shqipëri dhe në Kosovë kanë bërë përpjekje për të botuar materiale të përbashkëta për mësimin e gjuhës shqipe, të cilat u dërgohen falas shkollave. Problemi është se fëmijët në diasporë kane pritshmëri të tjera për mësimdhënien e “zhdërvjelltë” jo të ulur në banka dhe në rreshta në klasat tradicionale. Pra, duhet te prodhohen materiale interaktive ku nxënësit të mësojnë kryesisht gjuhën e komunikimit. Pra, mësuesit duhet të mësojnë ta përdorin teknologjinë në favor të përvetësimit të dijes në mënyra që nxënësit ta duan shkollën shqipe.
A mendoni se diaspora shqiptare po luan një rol të mjaftueshëm në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare? Çfarë mund të bëhet më mirë? A mund të krijojmë ura lidhëse në mes Universitetit të Gjuhësisë në Shqipëri dhe Kosovës dhe Shoqatave të Diasporës për gjuhën shqipe?
Mendoj që jeta e mërgimtarit nuk është e lehtë, sidomos në vitet e para të emigrimit ato kanë shumë pak kohë të merren me fëmijët. Megjithatë, kjo nuk e justifikon mungesën e gatishmërisë për të sjell fëmijët në shkollën shqipe. Bashkëpunimi mes Katedrave të Gjuhës Shqipe në Shqipëri dhe Kosovë është një ide e mire. Por, kryesorja është që të kemi fëmijë në klasat tona (detyrë e prindit) të kemi materiale interaktive mësimdhënie (detyrë e institucioneve) dhe mësimdhënia të bëhet e këndshme dhe e “zhdërvjelltë” që nxënësit të vijnë me dëshirë (përgatitja didaktike bashkëkohore e mësuesve).
Cilat janë disa prej sfidave kryesore që keni hasur gjatë punës tuaj akademike dhe çfarë ju ka ndihmuar t’i tejkaloni ato?
Në punën time akademike në vende të huaja, sfida kryesore ka qenë mungesa e kohës së mjaftueshme. Unë kam pasë avantazh që kam jetuar në vende anglisht folëse dhe gjuha nuk ka qenë problem, siç është për shumë bashkatdhetarë të mi. Megjithatë, përshtatja me kërkesat e institucioneve të arsimit të lartë, mendësitë e drejtimit të institucioneve dhe ekipeve që kam drejtuar, njohja e ligjeve të arsimit të lartë, punimi i disertacioneve dhe detyrave të tjera kanë qenë sfida për mua. Falë ndihmës dhe mbështetjes së familjes dhe këmbënguljes sime, çdo gjë është kapërcyer me sukses.
Si mund të përfitojë brezi i ri nga puna dhe hulumtimet tuaja në fushën e mësimdhënies? A keni projekte ose ide për të përfshirë më shumë të rinjtë në këtë fushë?
Unë tashmë jam në pension dhe i kushtohem më shumë familjes. Gjithashtu, dhe gjendja ime shëndetësore më pengon të realizoj shumë projekte që do të kisha dëshirë.
A mund të ndani me ne disa nga momentet më të rëndësishme ose arritjet tuaja më të dashura gjatë karrierës suaj akademike?
Për mua, shërbimi që i kam dhënë kombit dhe mësuesisë për 50 vjet janë arritje shumë arritje e rëndësishme. Gjithashtu, fakti që jam ftuar të trajnoj mësues në shumë vende të botës apo të prezantoj në shumë konferenca ndërkombëtare ku është ngritur flamuri shqiptar, më kanë ndihmuar që në mënyrë modeste të ngrej prestigjin e Shqipërisë në botë.
Cilat janë planet ose projektet tuaja të ardhshme që lidhen me mësimdhënien dhe organizimin e mësimit plotësues në Diasporë?
Dëshira është e madhe. Por mundësitë janë shumë të kufizuara.
Çka mund të thoni për gjeneratat e reja, janë në rrugë të mbarë në ruajtjen e identitetit apo lënë shumë për të dëshiruar?
Kam shumë merak se jo vetëm brezat e rinj në mërgatë, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, po i largohen gjuhës dhe kulturës tonë të lashtë. Kjo është e frikshme dhe shume alarmante.
Pajtohesh me ne, se në këtë shkapërderdhje të kombit gjuha, kultura kombëtare dhe identiteti kombëtar janë në rrezik.
Po, fatkeqësisht këtë e shohim çdo ditë.
Si nismëtare e KKAD-së mendoni se ju pas një pune gati pesëvjeçare, pas miratimit dhe botimit të teksteve shkollore për fëmijët e diasporës, pas një varg aktivitetesh në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare, anëtarët e KKAD-së kanë kryer me suksese detyrën e tyre?
Unë jam shume krenare për punën fisnike, akademike dhe gjuhësore dhe për arritjet e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) në këto 5 vite. Mirënjohje pafund për kontributin e dhënë në ruajtjen e identitetit kombëtar në mërgatë.
Keni ndonjë porosi për gjeneratat e reja?
Dua të theksoj që është detyrë e çdo prindi dhe mësuesi në mërgatë që të mos lodhen se theksuari për fëmijët e tyre që ‘FEJA E SHQIPTARIT ASHT SHQIPTARIA”. Ne vërtet, për shume arsye, jemi larguar nga vendi ynë, dhe ne vendet ku kemi mërguar duhet përshtatemi, në termin e shkencave sociale te “INTEGROHEMI, POR në asnjë mënyrë të “ASIMILIOHEMI” nga kultura të huaja. Së bashku, MUNDEMI.
Dhe në fund, ju falënderoj për këtë bashkëbisedim këto mesazhe me vlerë të lartë kombëtare, të cilat përbëjnë mësimin kryesor për gjeneratat e reja. Puna dhe përkushtimi juaj në shërbim të edukimit të brezave dhe mësimdhënies në kohë janë shembulli më i mirë për të gjithë ne mësuesit, por edhe për institucionet, për të kuptuar se çfarë vlere kanë figurat kryesore kombëtare, të cilat prej dekadash kanë bartur mbi supe problemet e shoqërisë në të gjitha fushat – e në këtë rast, në fushën e arsimit.
Prof. Fishta–Bejko, edhe një herë ju falënderoj dhe ju uroj shëndet dhe shumë suksese, sepse të gjithë kemi nevojë për fjalën tuaj të matur, për përkushtimin tuaj kombëtar dhe, mbi të gjitha, për udhëzimet dhe këshillat tuaja në zbatimin e metodave të reja në arsimin shqip.