RUAJTJA E GJUHËS SHQIPE NË DIASPORË ËSHTË MISION

 Bashkëbisedim me mësuesin Dritan Mashi

 Dritan Mashi, është lindur dhe rritur në qytetin e Milotit, ku ka kryer shkollën 8-vjeçare dhe gjimnazin, kurse studimet për Gjuhë dhe Letërsi shqiptare i ka mbaruar në vitin 1995 në Universitetin “Luigj Gurakuqi“ në Shkodër. Pak vite ka punuar si mësues në qytetin e lindjes dhe si shumë tjerë kolegë, ka marrë rrugën e kurbetit për një të ardhme më të mirë. Aktualisht jeton në Levico Terme (TN) në Itali dhe së bashku me bashkëshorten japin mësim plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë që jetojnë në këtë rrethinë.

Veprimtaria e tij si mësues në diasporë, nisi në vitin 2018 me hapjen e shkollës “Gjergj Fishta” në Levico Terme, ku vazhdojnë edhe sot të punojnë. Edhe pse numri i nxënësve nuk është si në vitet e mëparshme, Dritani me gruan nuk ndalen së punuari me fëmijët shqiptarë.

Misioni dhe profesioni, jo vetëm që janë një obligim kombëtar, por edhe njerëzor.

                                                                                        Bashkëbisedim: Isuf Bytyçi

Zoti Mashi, ju jeni mësimdhënës i gjuhës shqipe në Itali, a mund të na tregoni diçka për zhvillimet rreth mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, konkretisht për shqiptarët që jetojnë atje?

 Dritan Mashi: Në radhë të parë, mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Itali zhvillohet në mënyrë vullnetare, në përgjithësi i mbështetur nga shoqatat kulturore, në disa raste në Alto Adige si program gjuhësor për pakicat e huaja, që për gjuhën shqipe është një arritje e madhe.

Së dyti, sfidat janë të mëdha, sikur për ne mësuesit ashtu edhe për shoqatat që na mbështesin. Gjithsesi ia kemi dalë dhe do t’ia dalim, falë këmbënguljes sonë, komunikimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët në mes nesh dhe të organizimit profesional. Krijimi i Lidhjes së shkollave shqipe ishte domosdoshmëri e vetme, ku aktualiteti kërkonte një fokus më të përqendruar te boshti mësues-shkollë-shoqatë. Jo të gjitha shkollat në Itali aderojnë në këtë Lidhje, por edhe ato pak që nuk aderojnë janë të mirëpritura që të na bashkohen. Ne jemi të hapur me të gjithë.

Hapja e shkollave dhe klasave të reja të gjuhës shqipe, tregon se komuniteti ynë shqiptar është i interesuar, jo në përmasat e dëshiruara por edhe puna e mësuesve dhe shoqatave është për t’u vlerësuar. Ne jemi të vendosur për atë çfarë kemi marrë përsipër.

Në kohët e fundit jeni edhe njëri ndër themeluesit e KKAD-së dhe që sa vite shumë punë keni bërë! Çka mund të na thuani,  se a ka ndikim nga ana e KKAD-së në këtë fushë?

 Dritan Mashi: Krijimi i KKAD-së është një faktor ndihmës dhe i rëndësishëm në procesin e përmirësimit dhe zhvillimit të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Për shumë arsye mund ta veçojmë krijimin e një rrjeti bashkëpunimi profesional, ndarja e eksperiencave dhe analizimi i metodave të mësimdhënies nëpër shtete ku jepet ky lloj mësimi edhe pse seminaret e përvitshme kanë ndihmuar dje, sot edhe nesër do të ndihmojnë në ngritjen profesionale të mësuesve në diasporë.

KKAD-ja si pjesë këshilluese e QBD-së, ka dhënë kontribut në komunikimin profesional, ndërmjetësimin me organet qeverisëse, si dhe pasurimin dhe përditësimin e të dhënave të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Idetë, metodat dhe profesionalizmi kanë bërë që grupi i KKAD-së të japë rezultate nga më të mirat, që ky lloj mësimi të përmirësohet çdo vit e më shumë, edhe pse ka disa mësimdhënës që nuk janë të këtij këndvështrimi.

Z. Mashi, a mund të na thuani diçka në raport me profesionin e mësuesit dhe mësimin plotësues në diasporë, ruajtjen e gjuhës, historisë dhe kulturës sonë kombëtare shqiptare dhe sukseset e kësaj veprimtarie, sa kombëtare aq edhe njerëzore që është?

 Dritan Mashi: Veprimtaria ime në mësimdhënien e gjuhës shqipe në Itali, nuk është si veprim personal apo i veçantë! Ecuria ime është e njëjtë me bashkëshorten time, mësuese e Ciklit të Ulët, si edhe me të gjithë kolegët e tjerë në Itali dhe në diasporë, dikush më herët apo më vonë.

Titulli MËSUES, është profesion dhe mision, prandaj jemi të detyruar ta shpërndajmë dijen tonë te brezat e rinj. Nga ana tjetër, gjuha shqipe është gjuhë e nënës, gjuha e të parëve tanë që nuk duhet në asnjë moment ta lëmë të asimilohet. Çdokush, me mënyrën apo vendin vë në shërbim si materialisht apo moralisht sasinë dhe kapacitetin që ka në dispozicion për të mirën e kombit. Ne si mësues kemi profesionin dhe mundohemi ta shfrytëzojmë sa të mundemi që t’i mbajmë gjallë rrënjët tona kudo që jemi, kurse në aspektin  njerëzor, ne si mësues në diasporë atë pak kohë të lirë që kemi e ndajmë në mes të familjes dhe mësimit plotësues.

Si qëndron puna, a mund të na thuani se sa aktivë jemi ne mërgimtarët në ruajtjën e gjuhës amtare te fëmijët tanë, konkretisht në hapjen e klasëve me mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe a kemi mundësi më të mëdha?

Dritan Mashi: Hapja e shkollave është një temë paksa e ndërlikuar, sidomos në disa shtete ku mësimi jepet në mënyrë vullnetare. Nuk mjafton vetëm hapja e shkollës dhe optimizmi i ditës së parë, por vazhdimësia dhe frekuentimi i mëtejshëm. Mundimi, puna dhe angazhimi ynë jo që nuk kanë munguar, por janë edhe për t’u admiruar. Angazhimi më i gjerë, mobilizimi dhe sensibilizimi i komunitetit do të sillte rezultate më të kënaqshme në rritjen e frekuentimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë. Gjithashtu, ne si mësues duhet të japim më shumë shembull personal, profesional dhe njerëzor. Të bashkëpunojmë më shumë dhe, jo të xhelozojmë e ta luftojmë njëra-tjetrin. Por të bashkuar të veprojmë  e të metat t’i kritikojmë pa pretendim, në favor të punës që bëjmë dhe të mos irritohemi, nëse janë kritikat me vend. Jemi njerëz. Misioni ynë nuk ka të mirë apo të këqinj, ka bashkëpunim dhe ideal. Ideali ynë është mësimi i gjuhës shqipe dhe ruajtja e kulturës dhe traditave tona kombëtare, kudo që jemi.

Si qëndron puna me institucionet shtetërore të të dya shteteve shqiptare; Shqipëri, Kosovë dhe shteti i tretë i Makedonisë së Veriut, me një të tretën e popullsisë shqiptare? A janë duke e mbështetur mjaftueshëm këtë veprimtari dhe mision, që është në shërbim të kombit e atdheut, për shqiptarët në diasporë dhe a ka mundësi më të mëdha e të bashkuar që të na mbështesin?

  Dritan Mashi: Në vitet e fundit, bashkëpunimi me institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës ka qenë në nivel të kënaqshëm edhe pse ne kërkojmë dhe pretendojmë gjithnjë e më shumë nga vendi amë. Duhet të kemi parasysh që mosinstitucionalizmi apo jo-marrëveshjet ndërshtetërore me vendet ku jetojnë shqiptarët për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, nuk na favorizon përballë kërkesave tona. Gjithsesi interesimi, bashkëpunimi dhe rëndësia që na kanë dhënë institucionet, janë të kënaqshme. Duhet të theksoj që QBD-ja ka qenë një ndër shtyllat kryesore të komunikimit dhe bashkëpunimit me shtetin amë dhe Kosovën. Kurse me institucionet e RMV-së bashkëpunimi ka qenë në minimumin e pritshmërisë, por nuk do të rreshtim së kërkuari komunikim e bashkëpunim edhe me ta, në të ardhmen.

Z. Mashi, çka mendoni ju se a do të arrijmë ne shqiptarët, që ta institucionalizojmë këtë veprimtari dhe cili është përfitimi i shqiptarëve me mësim plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe cili është përfitimi i vendeve tona me këtë veprimtari?

 Dritan Mashi: Natyrisht, që institucionalizimi i gjuhës shqipe në vendet ku jetojmë do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, por ne jemi të vendosur dhe optimistë që për brezat që vijnë do të ndodhë. Shpresat janë të mëdha, që shteti amë dhe shtetet ku jetojmë, një ditë të bëjnë marrëveshje që ëndrra e çdo mësuesi, prindi, fëmije dhe e gjithë shqiptarëve në diasporë të bëhet realitet. Ëndrra e të parëve tanë Gjuha shqipe të jetojë në jetë të jetëve“.

Përfitimi i shqiptarëve që jetojnë në mërgatë është se lidhen me atdheun e tyre, kulturën dhe familjen, kurse përfitimi i dy shteteve tona shqiptare Shqipëri, Kosovë dhe Makedonia e Veriut se i kanë mundësitë më të mira që të përfitojnë investime nga bashkatdhetarët, që jetojnë e punojnë jashtë trojeve të tyre.

Ne si shqiptarë dhe si intelektualë, nuk do të ndalemi, por do të veprojmë me tërë qenien që gjuhën e nënës – shqipe t’ua mësojmë fëmijëve tanë, jo vetëm në Itali, aty ku jetojmë, por tani si pjesëtare të KKAD-së, i kemi mundësitë më të mëdha që të ndikojmë e t’i ndihmojmë shqiptarët në këtë drejtim, kudo që jetojnë në botë.

Ishte kënaqësi që biseduam z. Mashi, ju uroj suksese në këtë veprimtari kaq humane e ju faleminderit për kohën dhe vullnetin, që patët.