“7 MARSI” – DITA E MËSUESIT, KRENARIA E SHKOLLËS SHQIPE

 Nga Vaxhid Sejdiu

Mësuese dhe Mësues, Gëzuar 7 Marsin!

Pesha dhe rëndësia e gjuhës amtare nuk mund të krahasohet me asgjë. Ajo ka vlerën e gjithë hapësirës gjeografike të një populli që e flet, të historisë, të shpirtit, të idealit, identitetit të tij. Ajo ka vlerën e të gjallëve dhe të vdekurve bashkë. Ajo ka vlerën e Atdheut!

Gëzuar, këtë ditë të bekuar, kolegë të nderuar, ju që me aq shpirt punoni dhe veproni në shërbim të gjuhës shqipe.

Gëzuar! – Ju që e mbani gjallë flamurin e gjuhës shqipe dhe me sakrificën tuaj mundoheni që ky flamur të valoj sa më lart. Tepër motivues, jo vetëm për mësuesit por edhe për gjithë kombin është angazhimi dhe përkushtimi juaj. Me një fjalë, ju që nuk u dorëzuat asnjëherë, ju që nuk u përkulët asnjëherë, as para “fushatave” të ndryshme, as para “betejave” të njerëzve, që për interesa personale “shesin” gjuhë dhe atdhe”! – Ju që me shpirt nëpër dhëmbë shpëtuat shkronjat e shqipes. Ju që edukuat gjenerata të njëpasnjëshme për t`i shërbyer atdheut, për t`i shërbyer shqiptarisë. Ju që shqiptarisht u përballët me “të zezat e kohës” dhe alfabetin e shqipes e shpëtuat nga ata, të cilët na mallkuan dhe na mallkojnë edhe sot.

Me të drejtë Petro Nini Luarasi në ngjarjet më kritike për gjuhën ka thënë: “Vritmëni, po ma ruani gjakun se do t’iu duhet nipërve dhe stërnipërve tuaj të shkruajnë gjuhën shqipe”, apo në kohë “pak më të qeta” dijetari shqiptar Sami Frashëri shprehet qartë: “Shenja e kombit është gjuha, kur një komb e humb gjuhën ai humb edhe veten e tij”

Dhe sakrifica jonë vazhdon kudo ku jemi dhe sfidat vazhdojnë duke ”luftuar të zezat e kohës” sepse gjuha na mban gjallë, na ruan atdhedashurinë, na mbron identitetin kombëtar, na ruan ashtu siç kemi lindur dhe dëshirojmë të mbesim shqiptarë. Pa gjuhë njeriu është si pa gojë. Si mund të flasim me nënën, me nënë Shqipëri në gjuhë të huaj!

Mund të ndodhin edhe “tërmete teknologjike” por gjuha shqipe është e barabartë me të gjitha gjuhët e botës, apo thënë në bazë të të dhënave historike, gjuha shqipe është gjuha me të cilën mund të regjistrohen të gjitha ndryshimet gjuhësore sikurse në gjuhët që dominojnë botën apo siç thotë poeti ynë i dashur Filip Shiroka: “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”.

Gëzuar, këtë ditë të shënuar nxënës të dashur, ju të cilët me aq dashuri mësoni gjuhën nënës duke gjallëruar pikat shkollore gjithë andej kah flitet shqipja në mërgim apo në Atdhe.

Gëzuar nxënës, sepse zëri i juaj mban gjallë thirrjet për një bashkim kombëtar në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Ju jeni vazhdimësia e të ardhmes së gjuhës shqipe – gjuhës së shekujve, që dëshmon gjithnjë e më tepër historinë dhe pastërtinë e saj.

Faleminderit nxënës që në të gjitha prezantimet na bëni krenar me të folurit e pastër shqip, me recitimin e bukur të vargjeve të poetëve tanë që “shkrinë shpirtin” për gjuhën shqipe dhe me këngët kushtuar Kosovës, Shqipërisë, me një fjalë Atdheut. Ju bilbila të gjuhës shqipe që “cicëroni” shqiptarisht duke dëshmuar fort para prindërve tuaj se gjuha e nënës është Atdheu që na mban gjallë kah do që shkojmë dhe nga do që vijmë.

Gëzuar të gjithëve dhe faleminderit prindër të nderuar që i bashkoheni thirrjeve për një “rrugëtim” të përbashkët në shërbim të gjuhës shqipe kudo në botë.

Gjuha shqipe është “rreze dielli” që ngroh shpirtrat e fëmijëve shqiptarë kudo ku lindin, jetojnë dhe mësojnë shqip. Ruajtja e gjuhës së nënës është “yll polar” që mban drejtpeshimin e çdo njeriu në jetë. Prandaj ta ruajmë sepse vetëm në këtë mënyrë ruajmë identitetin kombëtar.

Poezia Antologjike “Gjuha shqipe” e poetit kombëtar Ndre Mjeda përfshinë në të gjitha pikëpamjet rëndësinë e gjuhë amtare. Dikur, ai i këndonte me gjithë shpirt gjuhës shqipe ashtu siç po i këndojmë edhe ne pas shumë dekadave.

“Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.”

Dhe kur është fjala për gjuhën shqipe gjuhëtari danez Holger Pedersen  na jep një “mozaik” edhe më të plotë, ai e përshkruan atë, në mënyrë të përkryer, që neve sot na jep të drejtë “ta përballim” me të gjitha gjuhët e botës: “Gjuha shqipe është i vetmi mjet i ndriçimit dhe përparimit moral, ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër Shqiptar”.

Gjuha shqipe, gjuha e kombit shqiptar!
Gëzuar, për jetë e mot!